As sot s’ka transport publik në Prishtinë
Edhe gjatë ditës së sotme, qytetarët e Prishtinës do të mbesin pa transport publik.
Kështu ka bërë të ditur Ilmi Gashi nga Sindikata e “Trafikut Urban”.
Ai ka thënë se, situata e ndërmarrjes mbetet e rëndë dhe se protestat do të vazhdojnë, pasi as Qeveria e Kosovës dhe as Komuna e Prishtinës nuk kanë ofruar zgjidhje për krizën financiare.
Gjatë së hënës, punëtorët e “Trafikut Urban” dhe linjave të tjera publiko-private që operojnë në Prishtinë, kanë protestuar para Komunës së Prishtinës dhe para objektit të Qeverisë, ku edhe kishin takim me ministrin në detyrë të financave, Hekuran Murati, por pa ndonjë zgjidhje.
Sipas tij, edhe Komuna e Prishtinës nuk ka mundur të ofrojë zgjidhje konkrete, ndërsa punonjësit janë duke u përballur me kushte të vështira financiare.
Për këtë arsye, sindikatat kanë vendosur të vazhdojnë me protesta.
“Në ndërkohë, Shoqata Sindikale e Trafikut Urban dhe sindikatat private vendosëm që nesër të protestojmë me forma të tilla te objekti i Komunës, e cila do të fillojë në orën 9:00”, deklaroi Gashi.
Protesta e sotme pritet të jetë vazhdim i presionit ndaj institucioneve, të cilave punonjësit e “Trafikut Urban” i kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme financiare.