U alokuan 680 mijë euro, Vitija nga “Trafiku Urban”: Nuk mjafton që të rifillojmë punën
Foto: Laura Hasani

U alokuan 680 mijë euro, Vitija nga “Trafiku Urban”: Nuk mjafton që të rifillojmë punën

Aktuale November 25, 2025 - 10:00

Shërbimi i autobusëve të Trafikut Urban në Prishtinë, të hënën (24 nëntor), ka protestuar para Komunës së Prishtinës duke kërkuar ekzekutimin e pagave për muajin tetor, sigurimeve dhe karburantit, pasi, sipas tyre, ndërmarrja ka arritur në një pikë kritike financiare. Punëtorët thanë se situata ka degraduar deri në atë masë sa kompania nuk mund të sigurojë as minimumin e nevojshëm për të vazhduar operimin.

Të premten e javës së kaluar, ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte deklaruar se Qeveria ka alokuar mjete financiare për Komunën e Prishtinës, të parapara fillimisht për muajin dhjetor, në mënyrë që të kryhen disa borxhe që komuna ka ndaj ndërmarrjeve të ndryshme, përfshirë edhe Trafikun Urban.

I pyetur nga Telegrafi nëse Ministria e Financave i ka alokuar këto mjete, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trafikut Urban, Qendrim Vitija, konfirmoi se të premten është pranuar një shumë financiare.

“Ministria e Financave të premten (21 nëntor) e ka lëshuar një shumë monetare në llogari të Komunës së Prishtinës. Realisht, në takimet që kemi pasur me kryetarin Përparim Rama, na ka njoftuar se Ministria e Financave ka liruar 3.2 milionë euro për Komunën e Prishtinës”, deklaroi Vitija.

“Në kuadër të kësaj, vetëm Trafiku Urban deri në muajin tetor ka pasur fatura të dorëzuara në Komunën e Prishtinës në vlerë rreth 2.7 milionë euro. Që i bie që 2.7 milionë euro Komuna e Prishtinës ka obligime ndaj Trafikut Urban”, shtoi ai.

Sipas Vitisë, shuma që komuna ka alokuar në llogarinë e Trafikut Urban nuk mjafton për rifillimin e punës. “Dje, më datë 24 nëntor, nga Komuna e Prishtinës në llogari të Trafikut Urban është derdhur shuma në vlerë rreth 680 mijë euro. Ne me këto mjete tani po paguajmë pagën e muajit tetor të punonjësve, ndërsa pjesa tjetër e mbetur nuk është e mjaftueshme me rifillua punën", tha ai.

Vitija theksoi se situata nuk mund të stabilizohet pa shlyerjen e të gjitha obligimeve që komuna ka ndaj ndërmarrjes. “Ne po presim edhe pagesën e faturave tjera nga Komuna e Prishtinës, respektivisht pas zhbllokimit të mjeteve nga Ministria e Financave. Kemi obligime të mëdha ndaj furnitorëve. Furnitori më i madh që Trafiku Urban ka është furnitori i naftës, edhe më tani ne kemi obligime ndaj tij rreth një milion euro. Kështu që pa i pagua komuna një pjesë të konsiderueshme të mjeteve, ne nuk mund ta rifillojmë punën,” u shpreh më tej ai.

Drejtori në detyrë foli edhe për masat që po ndërmerr për menaxhimin e situatës. “Jam duke marrë të gjitha masat për me i menaxhu punonjësit, mirëpo sindikatat e Trafikut Urban – që janë dy në ndërmarrje, sindikatat dhe shoqatat e transportit të operatorëve privatë – kanë organizuar protesta, të cilave edhe unë normal i bashkëngjitem deri në realizimin e objektivave tona që i kemi, realisht deri në realizimin e pagesës edhe obligimeve që i ka komuna ndaj Trafikut Urban dhe operatorëve të sektorit privat,” tha Vitija.

Ahmeti për Trafikun Urban: Nuk mundesh me liru nga pagesa në fushatë, e pas tri ditëve me mbetë pa para

Për krizën në Trafikun Urban reagoi edhe ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë: “Nuk mundesh me liru nga pagesa në fushatë, e pas tri ditëve me mbetë pa para”. Vitija, ndërkohë, sqaroi modelin aktual të financimit dhe arsyet pse ndërmarrja nuk varet drejtpërdrejt nga të hyrat e biletave.

“Komuna e Prishtinës me Trafikun Urban e ka një kontratë për shërbime publike, të njëjtën kontratë e ka edhe me sektorin privat. Trafiku Urban dhe sektori privat kompensohen nga Komuna e Prishtinës për kilometrat e kaluara. Në këtë rast, Komuna i ka llogari të gjitha lirimet, kategoritë e liruara nga pagesa dhe i kanë kalkuluar në këtë çmim. Realisht, as Trafiku Urban, as sektori privat direkt nuk janë të lidhur nga të hyrat e biletave, sepse kompensohen nga komuna për kilometrat e kaluara. Të hyrat nga biletat, si të Trafikut Urban ashtu edhe të sektorit privat, indirekt kalojnë në llogari të komunës”, sqaroi ai.

Situata në Trafikun Urban mbetet e rënduar, dhe sipas Vitisë, pa u alokuar mjetet e tjera në llogarinë e ndërmarrjes nga Komuna e Prishtinës, rifillimi i punës mbetet i pamundur.