Kurti: Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë
Foto: ZKM

Kurti: Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë

Aktuale November 25, 2025 - 10:19

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të festimit të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Image

Në adresimin e tij, kryeministri Kurti tha se me ndjesi feste dhe ngazëllimi ka ardhur sot në këtë ditë festimi, dy ditë pasi ishte në Manastir me rastin e 117- vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe diskutimeve e vendimeve të marra aty për alfabetin e shqipes.

“Këto data, si 22 nëntori i 1908-ës ashtu edhe 28 nëntori i 1912-ës, janë data historike të shënjuara një herë e mirë në kalendarin e kronologjisë së historisë së kombformimit dhe të shtetndërtimit të ne shqiptarëve”, tha Kurti.

Image

Në shënim të 113- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kurti tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve.

Image

"58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës. Është hapja e zyrave doganore, heqja e vulës apostile, njohja e pensioneve dhe sigurimeve, njësimi i diplomave dhe lëvizja pa kontrolle kufitare. Në arsim e kulturë, janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë ”, tha ai.

Image

Kurti potencoi se çdo angazhim për forcimin e dy shteteve tona, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, vazhdon ta ketë bekimin e atyre burrave dhe grave që dhanë gjithçka nga dija dhe përvoja, nga guximi dhe jeta e tyre, për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për jetësimin e ideve të shqiptarizmës siç i konceptuan ato rilindësit tanë. Për më tepër, ai tha se ky përvjetor i shtetit shqiptar, po kremtohet në sfond të 81-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar që Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi vend në Evropë që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar drejt pas Aleatëve.

Image

Ai tha se ky rreshtim politik i shqiptarëve, duhet ruajtur si i tillë, bashkë me angazhimin tonë për ruajtjen e aleatëve tanë.

“Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë!”, uroj në fund kryeministri Kurti.

Fjalimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

E nderuara presidente e Republikës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari kryetar i Kuvendit, z. Dimal Basha,

Shkëlqesia e juaj, z. Petrit Malaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe e nderuara zonja Aneta Malaj,

Të nderuar z. Fatmir Sejdiu dhe znj. Atifete Jahjaga, ish-President të Republikës së Kosovës,

Të nderuara familje të dëshmorëve e të martirëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Shkëlqesi ambasadorë dhe ju të tjerë diplomatë të misioneve në Kosovë,

Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit, e drejtues dhe zyrtarë në institucione të shtetit,

Të nderuar profesorë dhe intelektualë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Disa ditë më parë, kur në zyrën time erdhi ftesa nga Ambasada e Shqipërisë për kremtimet e 28 Nëntorit, një mori kujtimesh dhe ndjesish festive m’u rikthyen, sikur në çdo nëntor, kur shumë ngjarje kyçe në historinë e shqiptarëve, përbashkohen te data e 28 Nëntorit.

Një ftesë e dërguar nga Ambasada e Shqipërisë, disi gjithmonë më ngjason me ato telegramet e transmetuara me telegraf në vitet e largëta të fillimshekullit XX, kur patriotët shqiptarë po koordinoheshin mes vete për veprimet që kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Kuvendin e Vlorës. E kam fjalën për telegramet me njoftime dhe udhëzime që Ismail Qemali ua dërgonte nga Vjena bashkëpunëtorëve të tij në Durrës dhe Vlorë, e me të cilat u jepte lajmin e madh se çështja e Shqipërisë ishte siguruar dhe se duhej njoftuar të gjithë delegatët për t’u bashkuar në Kuvendin e Vlorës. Këto telegrame, më së shumti na janë ngulitur në kujtesën tonë auditive, me zërat e aktorëve të filmit “Nëntori i Dytë”, prodhim i vitit 1982, i Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Andaj edhe kur e mora ftesën për kremtimin e sontëm, pashmangshëm e lexova me zërin e vetë Ambasadorit Petrit Malaj, që te filmi “Nëntori i Dytë”, luan si aktor rolin e njërit prej nipave të Isa Boletinit. Ky film i pashqitshëm nga kujtesa jonë që prej fëmijërisë, hapet me një skenë, ku Hasan Prishtina kuvendon me Idriz Seferin për organizimin e kryengritjeve antiosmane dhe mbyllet me skenën aq të mirënjohur, ku Isa Boletini e puthë flamurin kombëtar të mbajtur në duar nga Ismail Qemali. Në historinë e kinematografisë shqiptare, vështirë të gjendet një tjetër film artistik si “Nëntori i Dytë”, i cili është parë me aq besim sikur të ishte një film dokumentar dhe skenat e të cilit janë përvetësuar aq natyrshëm në ikonografinë e festimeve të 28 Nëntorit.

Kështu edhe kjo mbrëmja e sontme, duket sikur ka diçka nga teatraliteti i skenave të atij filmi dhe nga zëri i dialogjeve të tij, sidomos kur e dëgjojmë aktorin Petrit Malaj duke na uruar 28 Nëntorin, nga detyra e nderuar e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Me të tilla ndjesi feste dhe ngazëllimi erdha sot këtu mes jush, dy ditë pasi isha në Manastir me rastin e 117- vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe diskutimeve e vendimeve të marra aty për alfabetin e shqipes. Këto data, si 22 nëntori i 1908-ës ashtu edhe 28 nëntori i 1912-ës, janë data historike të shenjuara një herë e mirë në kalendarin e kronologjisë së historisë së kombformimit dhe të shtetndërtimit të ne shqiptarëve.

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve.

58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës. Është hapja e zyrave doganore, heqja e vulës apostile, njohja e pensioneve dhe sigurimeve, njësimi i diplomave dhe lëvizja pa kontrolle kufitare. Në arsim e kulturë, janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë.

Sot, teksa e shënojmë 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, çdo angazhim për forcimin e dy shteteve tona, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, vazhdon ta ketë bekimin e atyre burrave dhe grave që dhanë gjithçka nga dija dhe përvoja, nga guximi dhe jeta e tyre, për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për jetësimin e ideve të shqiptarizmës siç i konceptuan ato rilindësit tanë. Për më tepër që ky 113-vjetor i shtetit shqiptar, po kremtohet në sfond të 81-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Le të kujtojmë që Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi vend në Evropë që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar drejt pas Aleatëve. Ky rreshtim politik i shqiptarëve, duhet ruajtur si i tillë, bashkë me angazhimin tonë për ruajtjen e aleatëve tanë.

Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë!

Urime kremta e 28 Nëntorit dhe gëzuar të gjithë shqiptarëve!