QMF-të në Prishtinë duhet të mbyllen, shokon kryetari i sindikatës

QMF-të në Prishtinë duhet të mbyllen, shokon kryetari i sindikatës

Aktuale November 25, 2025 - 12:37

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka folur për gjendjen në Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet.

Azemi tha se situata në këto institucione shëndetësore është aq e rëndë, saqë sipas tij, një kontroll i Inspektoratit Sanitar do të rezultonte me mbylljen e tyre.

“Po e them shumë sinqerisht, në QMF-të e Komunës së Prishtinës, nëse sot shkon Inspektorati Sanitar dhe e vërteton gjendjen që është, për shkak të papastërtisë dhe obligimeve të parealizuara, do të duhej t’i mbyllnin”, deklaroi ai në Klan Kosova.

Ai shtoi se në vitet ’90, pavarësisht mungesës së pagave, punëtorët kishin ruajtur standarde më të larta të higjienës dhe përkushtimit.

“Në periudhën 1990-1999 kemi pasur gjendjen shumë më të mirë. Atëherë, kur një resor nuk ka pasur paga, kemi ndihmuar njëri-tjetrin në resorë të tjerë, kemi bërë një lloj humaniteti. Sot kemi ardhur në situatën që, paramendoni, shteti ynë qëllimisht sëmundjen e një pacienti që e ka, ai po e zmadhon”, deklaroi kryesindikalisti.