Uraniumi i varfëruar, trashëgimi e harruar e luftës në Kosovë

Uraniumi i varfëruar, trashëgimi e harruar e luftës në Kosovë

Aktuale November 25, 2025 - 13:08

Para 26 vjetësh, NATO-ja përdori municion me uranium të varfëruar gjatë luftës së Kosovës. Shumë ushtarë, përfshirë italianë, u sëmurën nga kanceri, disa u kompensuan, por në vetë Kosovën, helmi mbetet ende në tokë.

Më 2002 OKB-ja miratoi një rezolutë që detyron shtetet të informojnë vendet e prekur pas përdorimit të municioneve me uranium dhe të ndihmojnë në pastrimin e zonave të kontaminuara.

"E kujtoj qartë ditën e fundit”, thotë Emerico Maria Laccetti, ish-kolonel i sektorit ushtarak të Kryqit të Kuq italian. Gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, ai ishte i dislokuar në Shqipëri, vetëm disa qindra metra nga kufiri me Kosovën. Atje ai komandonte një spital fushor për refugjatët.

"Qëndronim mbi kontejnerë dhe vështronim bombardimet ishte si një fishekzjarr pervers i Vitit të Ri. Edhe në distancë ndjeje valën e ajrit; trupi e përthithte tronditjen. Por jo, askush nuk na informoi për rreziqet specifike të armëve që po përdoreshin.”

Operacioni "Allied Force”

Nga mars 1999, NATO ndërhyri me operacionin "Allied Force” në konfliktin shumëvjeçar midis shtetit serb dhe shumicës shqiptare në Kosovë. Për 78 ditë, aleanca kreu misione me deri në 1000 avionë kundër forcave të sigurisë së Serbisë. Sipas të dhënave zyrtare, u hodhën mbi 28.000 eksplozivë, përfshirë edhe municion me uranium të varfëruar (DU) — i dyshuar për shkaktim të kancerit.

Ky municion përmban një bërthamë uraniumi të varfëruar, e cila për shkak të dendësisë së saj të lartë — tri herë më e rëndë se plumbi — ka fuqi të madhe depërtuese dhe përdoret kryesisht kundër tankeve dhe objektivave të blinduara. Megjithatë, në momentin e goditjes, mund të krijohet pluhur i imët radioaktiv, i cili, nëse thithet, mund të shkaktojë dëme shëndetësore afatgjata.

NATO-ja mohon akuzat

Në një përgjigje me shkrim për pyetjet mbi rreziqet e DU-së, NATO deklaroi: "Ne i marrim çështjet shëndetësore dhe mjedisore shumë seriozisht.”

Sipas aleancës, një komitet i krijuar në vitin 2001 ka konkluduar, bazuar në "të dhëna të pavarura shkencore”, se përdorimi i municionit me uranium të varfëruar në Kosovë "nuk paraqet rrezik të vazhdueshëm për shëndetin e popullsisë”.

NATO-ja i referohet raporteve të OKB-së, për shembull atij të vitit 2014. "Këto janë prova shkencore, ato kanë qenë të qëndrueshme dhe ne qëndrojmë pas tyre”, thuhet në deklaratën e aleancës ushtarake.

Por kjo bie ndesh me vendimet e gjykatave italiane, të cilat kanë pranuar ankesat e rreth 500 veteranëve të luftës së Kosovës, që u prekën nga kanceri pasi kishin qenë në kontakt me municionin e tillë.

Laccetti thotë, se ishte i vetëdijshëm që me spitalin e tij fushor në Morinë të Shqipërisë, menjëherë pranë kufirit me Kosovën gjatë bombardimeve të NATO-s, ndodhej në një "zonë të nxehtë”, shumë afër një konflikti aktiv, gjë që gjithmonë bart rreziqe. "Por ajo që kurrë nuk na u tha,” thekson ai, "ishte se disa lloje municionesh mund të paraqesin rreziqe afatgjata edhe kur nuk goditesh drejtpërdrejt – për shembull për shkak të predhave të pashpërthyera aty afër apo përbërësve të përdorur në prodhimin e municioneve.”

Sëmundja e gjatë

Kur Laccetti u kthye në shtëpi në korrik të vitit 1999, ai filloi të kishte vështirësi në frymëmarrje dhe për këtë arsye shkoi për t'u kontrolluar në një spital. "Stafi mjekësor papritur u bë shumë i shqetësuar,” kujton ai. Më në fund, një mjek i tregoi atij imazhin: "Në mushkëritë e mia kishte diçka me përmasa 24 x 12 x 14 centimetra.” Tek ai, atëherë 36-vjeçar, u diagnostikua një tumor shumë agresiv dhe i pashërueshëm.

Fillimisht, Laccetti u trajtua me sukses, por në vitin 2008 ai u sëmur sërish nga kanceri. Rezultati i analizës së indeve ishte tronditës: "Ata gjetën një sasi jashtëzakonisht të madhe grimcash qeramike të rrumbullakëta në mënyrë perfekte – sikur të kisha qëndruar brenda një furre shkrirjeje metalesh.” Përfundimi ishte i qartë: "Këto grimca ishin vendosur në trupin tim për vite me radhë dhe, përmes lëvizjes ose inflamacionit, mund të shkaktonin dëme të reja.”

Fitoret ligjore

Laccetti mori vesh nga ushtarë të tjerë të së njëjtës moshë, të cilët kishin qenë në të njëjtat zona shërbimi dhe kishin marrë diagnoza të ngjashme. Ai kontaktoi me avokatin Angelo Tartaglia, i cili përfaqësonte të prekurit. Rreth 500 pjesëtarë të ushtrisë paditën me sukses shtetin italian. Ndër ta edhe Laccetti, të cilit një gjykatë në Romë në vitin 2009 i njohu se ishte bërë viktimë, sepse kishte kryer detyrat e tij ushtarake. Gjykata i akordoi atij një dëmshpërblim.

Pas luftës në Kosovë, një komision i Ministrisë italiane të Mbrojtjes hetoi një lidhje të mundshme midis ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar (DU) dhe sëmundjeve të kancerit. Ky komision konstatoi një rritje statistikisht domethënëse të rasteve të limfomës jo-Hodgkin te ushtarët e prekur. Megjithatë, studime të tjera – si një raport i OBSH-së nga i njëjti vit – nuk gjetën prova të qarta për një lidhje të drejtpërdrejtë midis uraniumit të varfëruar dhe rasteve individuale të sëmundjeve.

Dëshmi e vështirë

Për Wim Zwijnenburg, anëtar i Koalicionit Ndërkombëtar për Ndalimin e Armëve me Uran (ICBUW), rasti është i qartë. "Gjykatësi e pranoi se shteti italian kishte detyrim kujdesi, prandaj u dha një dëmshpërblim,” shpjegon eksperti. Ai po studion përdorimin dhe pasojat e uraniumit të varfëruar (DU) prej më shumë se 16 vitesh.

"Përfundimi im: është jashtëzakonisht e vështirë të nxirret një deklaratë përfundimtare,” pranon ai, sepse uraniumi i varfëruar ndikon vetëm kur hyn në trup – zakonisht në formën e grimcave shumë të imëta pluhuri që thithen me frymëmarrje. "Por sasia e saktë që njerëzit e thithin realisht nuk është matur kurrë siç duhet. Ka shumë pak studime afatgjata të besueshme.” Arsyet për shfaqjen e kancerit shpesh janë të vështira për t'u përcaktuar qartë. Zakonet e pashëndetshme të jetesës, ndikimet mjedisore, prirjet gjenetike dhe shumë faktorë të tjerë ndikojnë në numrin e rasteve.

"Edhe vërtetimi është i vështirë,” thotë Zwijnenburg. "A kanë prekur ndonjëherë të prekurit një granatë me uranium të varfëruar ose janë afruar pranë një tanku të kontaminuar? Uraniumi mund të marrë një vit për të depërtuar përmes lëkurës. Mjekët nuk mund të bëjnë pohime kur nuk është e qartë. Njerëzit kërkojnë një shkak të qartë – por realiteti është shumë më kompleks.”

Dekontaminimi i detyrueshëm

Në vitin 2002, OKB miratoi një rezolutë që detyron shtetet të informojnë vendet e prekur pas përdorimit të municioneve me uranium dhe të ndihmojnë në pastrimin e zonave të kontaminuara. Sa i përket Kosovës, nuk është e qartë se sa e ka përmbushur NATO këtë përgjegjësi – forca e mbrojtjes së NATO-s, KFOR, e cila është e vendosur aty që nga përfundimi i luftës për të siguruar paqen, nuk jep informacione. Vizitat në terren tregojnë: në shumë rajone të Kosovës, popullsia di pak për rreziqet e mundshme, dhe masat e dekontaminimit nuk janë kryer – përveç një lokacioni në perëndim të vendit, në fshatin Lugbunari pranë Gjakovës.

"Do të mund të akuzohej NATO-ja për përdorimin e këtyre armëve,” thotë eksperti Wim Zwijnenburg, "por edhe më shumë për faktin se pas luftës nuk kryen asnjë punë pastrimi. Për ushtarët ka protokolle të qarta mbrojtjeje – për civilët? Asgjë. Është e papranueshme të përdoret municion toksik dhe pastaj thjesht të tërhiqesh.”

Zyrtarisht, materiali nga i cili përbëhet municioni me uranium të varfëruar konsiderohet si mbeturinë me rrezatim të ulët deri në mesatar. Por, thotë Zwijnenburg, "në klimë të lagësht si në Ballkan, granatat mund të korodohen dhe të shpërbëhen – duke lënë pas mbetje të rrezikshme.” Koha gjithashtu nuk ndihmon, pasi gjysma e jetës së uraniumit është pothuajse e pafund. Për Zwijnenburg, kjo tregon hipokrizinë e shteteve.

"Megjithatë, nëse një granatë e tillë do të gjendej në një park holandez, zona do të mbyllej. Njësitë speciale me veshje mbrojtëse do të vendosnin granatën në një enë plumbi dhe do ta ruanin me siguri.” Pra, kur bëhet fjalë për popullsinë e tyre, rreziqet merren shumë seriozisht – në vendet e tjera jo.

Laccetti është i zhgënjyer që rasti i tij dhe i shumë veteranëve të tjerë nuk kanë sjellë ndryshime themelore. "Municioni me uranium të varfëruar është ende legal. Ne kemi provuar në çdo mënyrë të mundshme ta ndalojmë – si municionin shpërndarës ose minat antipersonale. Dështuam.” /DW