Fillon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Foto: Laura Hasani

Fillon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Aktuale November 26, 2025 - 11:06

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Periudha për aplikim është nga data 26 nëntor – 6 dhjetor 2025, shkruan Zeri.info.

Aplikimi bëhet përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org, ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë.

KQZ-ja njofton se në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit:

Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;

Duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; apo

Duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja jashtë Kosovës.

Bëhet e ditur se në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.

KQZ-ja sqaron se kjo periudhë e regjistrimit vlenë vetëm për shtetasit që duan të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, ndërkaq për të votuar në vendvotimin e tyre në Kosovë nuk kanë nevojë të regjistrohen si votues jashtë vendit.

“Shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, do të largohen nga Lista Votuese brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në Listën Votuese jashtë Kosovës.

Ndërkohë, shtetasit e Kosovës, që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndodhen në Listën e Votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim. /Zëri