KMDLNJ-ja reagon për situatën në transport publik dhe mos-pagesat në RTK
Foto: Laura Hasani

KMDLNJ-ja reagon për situatën në transport publik dhe mos-pagesat në RTK

Aktuale November 26, 2025 - 18:17

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar me ndërprerjen e shërbimeve të transportit publik në Prishtinë dhe mos-pagesën e rreth 700 punëtorëve të RTK-së, duke e cilësuar këtë si shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Sipas KMDLNj-së, qytetarët tashmë tri ditë janë privuar nga transporti publik për shkak të grevës së operatorëve, e cila sipas këtij Këshilli, ka ardhur si pasojë e “bllokimit nga Ministria e Financave të mbi 35 milionë eurove, mjete të kryeqytetit”, duke e pamundësuar komunën të shlyejë detyrimet ndaj transportuesve.

“Qytetarët duan shërbime, operatorët të kompensohen për shërbime!” thuhet në reagim.

KMDLNj paralajmëron se paralizimi i trafikut urban e ndërurban ka prekur rëndë të moshuarit, nxënësit, studentët dhe punëtorët, duke cenuar të drejtën për lëvizje, shkollim, punë dhe shërbime shëndetësore.

Po ashtu, Këshilli thekson se rreth 700 të punësuar në RTK kanë mbetur pa paga për 2 muaj, duke rrezikuar funksionimin e transmetuesit publik. 

KMDLNj shprehet se e përkrah plotësisht protestën e transportuesve dhe grevën e punëtorëve të RTK-së, duke theksuar se bëhet fjalë për “shkelje të të drejtave të njeriut përmes mohimit të kompensimit për punën që e bëjnë”.

Në deklaratë kritikohet edhe vendimi për rritjen e pensionit minimal dhe shtesave për fëmijë.

“Në rastin e parë pensionistët kontributdhënës degradohen duke u trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe raciste pasi përjashtohen nga çdo rritje", theksohet në reagim.

KMDLNj kërkon nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të hetojnë situatën, duke theksuar se “qytetarët po përballen me shkelje brutale të të drejtave të njeriut që garantohen me ligjet në fuqi”. Këshilli thekson se moszgjidhja e kësaj krize i ka lënë qytetarët pa transport dhe pa qasje në informim të drejtë e cilësor.