Basha takohet me Prattipatin, flasin për zhvillimet politike në vend dhe pagat e RTK-së
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Anu Prattipati, me të cilën kanë biseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend, aktualitetin politik, përfshirë edhe çështjen e pagave të punëtorëve të RTK-së.
Sipas njoftimit, thuhet Basha ka shprehur keqardhjen që nuk u votuan disa prej çështjeve të rëndësishme në Kuvend, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet e komunave, ligjin e buxhetit, si dhe raportin e RTK-së që do të mundësonte zgjidhjen e çështjes së pagave për punëtorët.
Po ashtu bëhet e ditur se një pjesë e bisedës u përqendrua te procesi zgjedhor në vend, rëndësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe respekti mes subjekteve politike.
“Kosova është dëshmuar se organizon procese zgjedhore të rregullta, ndërsa qytetarët tanë kanë treguar vazhdimisht kulturë të lartë demokratike”, është shprehur Basha.
Kryeparlamentari gjithashtu ka treguar mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, aleatin e çmuar të Kosovës dhe siç e ka cilësuar ai, "modelin e përhershëm për vlerat dhe standardet demokratike". /Zëri