KFOR: Të përkushtuar në promovimin e sigurisë dhe të drejtave të grave
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka rikonfirmuar përkushtimin ndaj mbështetjes së përpjekjeve për sigurinë dhe të drejtat e grave dhe vajzave në Kosovë, gjatë hapjes së fushatës së OKB-së “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” në Prishtinë.
Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaë, mori pjesë në ngjarjen hapëse të fushatës së OKB-së “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” në Prishtinë, ku KFOR-i rikonfirmoi përkushtimin për mbështetjen e përpjekjeve ndërkombëtare që promovojnë sigurinë, dinjitetin dhe të drejtat e të gjitha grave dhe vajzave në Kosovë.
"Tema e këtij viti, “BASHKOHUNI për t’i dhënë fund dhunës digjitale ndaj të gjitha grave dhe vajzave”, vë në pah rritjen e ngacmimeve online, abuzimit dhe formave të tjera të dhunës digjitale, duke bërë thirrje për veprim të përbashkët nga institucionet, organizatat dhe individët", thuhet në njoftim.
KFOR-i theksoi se vazhdon të zbatojë mandatin e saj të bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.