Haradinaj për Isa Boletinin: Mbetet frymëzim për secilin shqiptar
Foto: Facebook

Haradinaj për Isa Boletinin: Mbetet frymëzim për secilin shqiptar

Aktuale November 27, 2025 - 10:32

Kryetari i AAK-së e nisi ditën nga Boletini, në prag të festës së 28 Nëntorit, aty ku prehet heroi Isa Boletini.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka theksuar se nëntori është muaji i shenjtë për të gjithë ne shqiptarët.

"Në muajin e Pavarësisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljes publike të UÇK-së, ishim në Prekaz bashkë për të nderuar veprën dhe sakrificën sublime të heronjve dhe dëshmorëve të gjithë bijave dhe bijve të kombit, që u bënë themeli i shtetit dhe pavarësisë së Kosovës. Sot, më shumë se kurrë, vizita jonë ka edhe një mesazh zotimi dhe betimi që ne jemi vazhdimësia e të qenit garant dhe mbrojtës të lirisë dhe pavarësisë sonë. Ne, bashkë me partnerët tanë, e kemi fituar luftën dhe bashkë me ta do ta bëjmë Kosovën euroatlantike dhe të zhvilluar", ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, përmes një postimi në Facebook, ai thotë se Isa Boletini mbetet frymëzim për secilin shqiptar, për ta dashur e mbrojtur lirinë, për ta ruajtur identitetin dhe për t’u përkushtuar ndaj të drejtave tona kombëtare, ashtu siç ai bëri me guxim dhe vendosmëri të pashoq.

“Unë jam mirë kur është mirë Shqipëria”, ishte thënia që e shoqëroi gjatë gjithë jetës, në mbrojtje të së drejtës së shqiptarëve, të cilëve për dekada u ishte mohuar padrejtësisht liria dhe identiteti”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.