Këto janë Qendrat e Votimit për votim jashtë Kosovës në 36 shtete
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit, i cili do të mbahet më 27 dhjetor 2025, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.
Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 66 vendvotime të vendosura në 36 shtete të botës. Megjithatë, kjo listë do të mund të rishikohet nga KQZ-ja, varësisht nga numri i votuesve që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike.
Gjithashtu, KQZ-ja ka caktuar numrin maksimal 950 votues që mund të regjistrohen për të votuar në një vendvotim në përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të KQZ-së, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto përfaqësi diplomatike është 62.700 votues.
Po ashtu, sipas vendimit të KQZ-së, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe SHBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40.850 votues.
Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit për votimin jashtë Kosovës, të miratuara nga KQZ është 60, me gjithsej 109 vendvotime. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit është 103.550.
KQZ-ja sqaron se kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar.
Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.
Periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës ka filluar më 26 nëntor dhe do të përfundojë më 6 dhjetor 2025. /Zëri


