Punëtorët e transportit privatë presin reflektim në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Prishtinës
Foto: Laura Hasani

Punëtorët e transportit privatë presin reflektim në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Prishtinës

Aktuale November 27, 2025 - 13:30

Punëtorët e operatorëve privatë po presin një reflektim nga seanca e jashtëzakonshme, që do të mbahet në orën 15:00 në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Kryetari i Sindikatës së Linjave Private, Avdyl Brajshori, theksoi se transportuesit urbanë presin hapa konkretë nga institucionet lokale dhe qendrore.

“Siç e dini, jemi duke pritur ndonjë veprim nga institucionet e nivelit lokal dhe qendror. Sot është thirrur një seancë e jashtëzakonshme dhe presim që ajo të kalojë me sukses. Ne do të jemi pjesëmarrës në seancë, duke marrë parasysh rëndësinë që ka për transportuesit urbanë. Aktualisht nuk ka diçka konkrete; pas seancës mund të prononcohemi dhe t’ju ofrojmë informacione më të detajuara. Besoj se të gjithë asamblistët do të reflektojnë pozitivisht, sepse situata pa transport e ka vështirësuar jetesën e qytetarëve. Qytetarët po detyrohen të marrin taksi, që kushton më shumë, ndërsa transporti publik ka ofruar gjithmonë shërbime cilësore. Me kalimin e buxhetit, besoj që do të ketë reflektim pozitiv”, u shpreh Brajshori.