Ushtari i akuzuar për dhunim në Britani, Maqedonci: I kemi ngritur të gjitha komisionet që merren me këto raste
Foto: Laura Hasani

Ushtari i akuzuar për dhunim në Britani, Maqedonci: I kemi ngritur të gjitha komisionet që merren me këto raste

Aktuale November 27, 2025 - 13:39

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është deklaruar rreth pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili dyshohet se gjatë një trajnimi në Britani të Madhe ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.

Maqedonci tha se janë ngritur të gjitha komisionet dhe strukturat për t’u marrë me rastin në fjalë, megjithatë i njëjti deklaroi se nuk ka ende një verdikt final.

“Për pjesëtarin që dyshohet për sulm seksual në Britani të Madhe, ne i kemi ngritur të gjitha komisionet dhe strukturat që merren me këto lloj rastesh. Ende nuk kemi një verdikt final, dhe derisa nuk kemi një verdikt final, e kam të pamundur të jap më shumë informacione”, tha Maqedonci.

Bali Hoxha, 28-vjeçar, ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është akuzuar në Mbretërinë e Bashkuar për përdhunim dhe për dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje.

Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj ka raportuar ekskluzivisht, duke iu referuar burimeve se Hoxha është nga Krajkova e Drenasit. Ai ishte nisur me një ekip ushtarësh për një trajnim disa mujor në “West Tofts Camp” në Thetford. Më 17 shtator dyshohet se i ka kryer veprat penale.

Zogaj ka pranuar përgjigje nga zyra e komunikimit të policisë në Norfolk, e cila ka konfirmuar arrestimin e tij dhe ka njoftuar se i njëjti do të paraqitet më 7 prill të vitit 2026 në Gjykatën e Kurorës në Norwich.

Derisa i njëjti ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.