Bedri Hamza me mesazh urimi për 28 Nëntorin: E kuqja dhe e zeza sot janë Shqipëri
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si një pikë kulmore të historisë dhe identitetit kombëtar.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se kjo ditë mbush zemrat e shqiptarëve me krenari dhe rikujton rrugëtimin e gjatë drejt lirisë.
Hamza ka përmendur disa nga momentet historike që i japin peshë kësaj date: flamurin e Skënderbeut që valëvitej në Krujë, aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, si dhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari, figurë qendrore e rezistencës moderne shqiptare.
Sipas tij, simbolet kombëtare marrin një kuptim të veçantë në këtë festë.
“E kuqja dhe e zeza sot nuk janë vetëm ngjyra. Janë Shqipëri. Janë betim për një të ardhme prosperuese për shqiptarët”, shprehet Hamza në reagimin e tij, transmeton Zeri.info.
Ai ua ka uruar të gjithë shqiptarëve festën e 28 Nëntorit, duke apeluar që kjo ditë të shënohet me dinjitet dhe unitet.
“Gëzuar dhe festofshim gjithmonë me dinjitet”, përmbyll ai mesazhin, të cilin e ka shoqëruar me simbolin e flamurit kombëtar. /Zëri