BIK: Sot në të gjitha xhamitë e Kosovës u mbajt hytbe kushtuar 28 Nëntorit
Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se në të gjitha xhamitë e Kosovës sot u mbajt një hytbe e përbashkët me rekomandimin e myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, kushtuar festës së 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë hytbes u theksua se 28 Nëntori nuk është më vetëm një datë historike në kalendarin kombëtar, por një simbol i bashkimit rreth interesit të përbashkët. U kujtua se përkushtimi ndaj atdheut është detyrë e çdo qytetari dhe se dashuria për vendin e afron njeriun më shumë te Zoti, ndërsa sakrifica për atdheun e ngre në radhën e të nderuarve dhe dëshmorëve.
Një nga pikat kryesore ishte roli i parisë myslimane ndër shekuj në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe përparimin arsimor. U nënvizua se përballë përpjekjeve të keqdashësve që kërkojnë të krijojnë përçarje përmes çështjes kombëtare, heshtja do të ishte padrejtësi ndaj figurave themelore të historisë sonë.
Në këtë drejtim u rikujtua Haxhi Ymer Prizreni, themelues i Lidhjes së Prizrenit, e cila ishte shumë më tepër se një organizim politik – një manifestim i vendosmërisë për të mbrojtur trojet dhe të drejtat kombëtare.
U përmendën edhe personalitete të tjera të shquara të parisë myslimane, të cilët lanë gjurmë të pashlyera në kulturë, arsim dhe politikë:
Daut ef. Boriçi, themelues i Lidhjes së Prizrenit dhe hartues i abetares së parë shqipe.
Hafëz Ali Podgorica, kryetar i bashkisë së Durrësit, i cili me dorën e tij ngriti flamurin kombëtar.
Haxhi Vehbi Dibra, firmëtar i Aktit të Pavarësisë, autor i fetvasë së njohjes së flamurit kombëtar.
Hafëz Ali Korça, ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe në Korçë.
Hafëz Ibrahim Dalliu, kontribues në themelimin e Normales së Elbasanit.
Mulla Idriz Gjilani, i cili në hapjen e mejtepit për djem e vajza tha: “S’ka fe pa atdhe! Pa një atdhe të lirë feja nuk mbahet”.
Në përmbyllje, u theksua se 28 Nëntori duhet të na kujtojë përgjegjësinë kolektive për të mbrojtur gjuhën, kulturën, unitetin kombëtar dhe të ardhmen e brezave të rinj. U lut që Zoti ta bekojë dhe ta ruajë kombin, fenë, gjuhën dhe atdheun. /Zëri