PZAP-i mori vendim të votohet vetëm në përfaqësitë diplomatike, Murati akuzon LDK-në se po pengon diasporën
Foto: Laura Hasani

PZAP-i mori vendim të votohet vetëm në përfaqësitë diplomatike, Murati akuzon LDK-në se po pengon diasporën

Aktuale December 01, 2025 - 08:14

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili pranoi ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe anuloi qendrat alternative të votimit jashtë Kosovës, duke lejuar votimin vetëm në përfaqësitë diplomatike.

Murati, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, e akuzoi LDK-në se po vepron kundër interesit të diasporës dhe po pengon pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës?”, shkroi ai, duke shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte ofruar hapësira shtesë për votim, përveç ambasadave e konsullatave, për ta afruar procesin me votuesit jashtë vendit.

Sipas Muratit, këto hapësira shtesë do ta lehtësonin procesin e votimit, por LDK-ja ka kundërshtuar këtë përmes ankesës në PZAP, e cila u miratua.

“LDK-ja paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP-i e miraton ankesën e LDK-së. Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, theksoi Murati.