Akreditohet Zejnullahu, Kosova me atashe të mbrojtjes në Çeki
Foto: Facebook

Akreditohet Zejnullahu, Kosova me atashe të mbrojtjes në Çeki

Aktuale December 01, 2025 - 15:34

Atasheu i mbrojtjes në Gjermani, koloneli Bekim Zejnullahu, është akredituar si atasheu i parë jorezident i mbrojtjes i Kosovës në Republikën Çeke.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë vizitës përuruese dhe në takime me autoritetet çeke të mbrojtjes, kolonel Bekim Zejnullahu u shoqërua nga ambasadorja e Kosovës në Pragë, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj.

“Përveç takimit të rëndësishëm me zëvendësin e parë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Miroslav Hlavaç, u realizuan edhe takime zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura me kolonel Jan Husak dhe stafin e tij, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes me Simona Altschulova, drejtore e Bashkëpunimit Ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas tyre, kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm për forcimin dhe zgjerimin e partneritetit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Republikës së Çekisë.