KRM “Uniteti” nënshkruan marrëveshjen e re për pastrimin publik në Mitrovicë
Kompania rajonale e mbeturinave “Uniteti” ka njoftuar se sot është nënshkruar marrëveshja e re për shërbimet e fshirjes dhe larjes së rrugëve, si dhe largimin e deponive ilegale në territorin e komunës së Mitrovicës.
Përmes kësaj marrëveshjeje janë përcaktuar qartë obligimet e palëve për kryerjen e të gjitha shërbimeve të pastrimit publik, duke përfshirë mirëmbajtjen e hapësirave publike, pastrimin mekanik dhe manual të rrugëve, si dhe eliminimin e deponive ilegale në të gjitha zonat e qytetit.
Sipas njoftimit të KRM “Uniteti”, menjëherë pas finalizimit të marrëveshjes, ekipet operative kanë dalë në terren dhe kanë filluar zbatimin e detyrave të planifikuara.
Kompania ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se situata e krijuar ditëve të fundit “ka ndodhur pa fajin tonë”.
“KRM ‘Uniteti’ mbetet i përkushtuar në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe në garantimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë qytetarët e Mitrovicës”, thuhet në njoftim.