KQZ-ja aprovon mbi 14 mijë aplikime për votim jashtë Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga data 26 nëntor dhe deri më 30 nëntor, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar rreth 24 mijë e 500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, deklaroi se janë aprovuar mbi 14 mijë e 600, ndërkaq janë refuzuar rreth 3 mijë e 500.
Elezi tha se në vlerësim e sipër thuhet se janë edhe rreth 6 mijë e 400 aplikime.
“Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 10,500 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe mbi 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tha Elezi.
Ai shtoi se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues.
“Kjo do të thotë se KQZ-ja i informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, ka deklaruar Elezi.
Afati për regjistrim për votim jashtë vendit përfundon më 6 dhjetor./ Klankosova