Forcim i aleancave rajonale, Kosova dhe Bosnja flasin për bashkëpunim ushtarak
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Mbrojtjes të Bosnjë dhe Hercegovinës, Zukan Helez, në kuadër të ministerialit SHBA - Karta e Adriatikut (A5).
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë takimit të dy ministrat kanë diskutuar mundësitë për forcimin e marrëdhënieve dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe forcave të armatosura.
Në komunikatë theksohet se ministrat shprehën gatishmërinë për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe ushtrive, duke vlerësuar se ky bashkëpunim ndihmon në ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme në rajon.
Ministria gjithashtu thekson se bashkëpunimi rajonal mbetet një komponent thelbësor për garantimin e një mjedisi të sigurt, të qëndrueshëm për mirëqenien e qytetarëve dhe të vendit.