Kosova më e sigurt, KFOR-i njofton se mbi 12.000 eksplozivë janë sekuestruar që nga viti 1999
Komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënant Ozkan Ulutash, vizitoi dje organizatat Ndihma Popullore Norvegjeze (NPA) dhe HALO Trust në Mitrovicën e Jugut, të cilat janë të pavarura dhe të specializuara në çështjet e shpërthimit të minave.
Gjatë vizitës, Ulutashi mori një pasqyrë të aktiviteteve të tyre aktuale dhe u prezantua me pajisjet dhe municionin eksploziv të përdorur për trajnime dhe ndërgjegjësim publik.
Sipas njoftimit për media thuhet se që nga viti 1999, HALO Trust dhe NPA kanë pastruar më shumë se 40 milionë metra katrorë tokë dhe kanë sekuestruar mbi 12,000 eksplozivë të paplasur, duke kontribuuar ndjeshëm në sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Përveç kësaj, organizatat kanë ndihmuar në sigurinë ushqimore, qasjen në tokë, si dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe energjisë.
"KFOR-i ka mbështetur punën e HALO Trust dhe NPA-së, duke përfshirë edhe neutralizimin e eksplozivëve të hasur në terren, së bashku me personelin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatet e tyre për mbrojtje civile", thuhet në njoftim.
Komandanti Ulutash nënvizoi rëndësinë që këto aktivitete të vazhdojnë të financohen si duhet, në mënyrë që Kosova të shpallet e sigurt nga eksplozivët e paplasur në të ardhmen e afërt.