BE-ja i bën thirrje KPK-së për zbatim të plotë të reformës: Sundimi i ligjit, parakusht thelbësor i BE-së
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se pas takimit urgjent të zhvilluar me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), i ka bërë thirrje këtij të fundit për zbatim të plotë të reformës në këtë institucion, të sigurojë ligjshmërinë e vendimeve dhe të veprojnë me integritet.
Sipas Zyrës së BE-së, sundimi i ligjit është parakusht thelbësor i BE-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në një takim me Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja në Kosovë u bëri thirrje sot të gjithë anëtarëve të saj që të zbatojnë së bashku dhe plotësisht reformën e KPK-së, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve të tyre, të veprojnë me integritet dhe të ruajnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Sundimi i ligjit është një parakusht thelbësor i BE-së”, thuhet në komunikatë.
“Betimi për Drejtësi” të martën ka raportuar se Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një e-maili drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, i ka kërkuar atij mbajtjen e një takimi urgjent, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Këshillit. Takimi është thirrë pas zhvillimeve të fundit në këtë institucion.
E-maili të cilin e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, i është dërguar Hajdarajt nga Palatova, në të cilën takimi është kërkuar pikërisht për datën 3 dhjetor.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është thelbësore që takimi të mbahet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KPK-së”, thuhet në e-mail. Detajet nga përmbajtja e e-mailit mund t’i gjeni: KËTU.
Këtë takim, më pas e konfirmoi edhe KPK-ja.
Ndryshe, Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.
Ndërkaq, në mbledhjen e radhës e cila u mbajt të hënën më 1 dhjetor. në sallë mori pjesë edhe ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i zgjedhur nga pesë anëtarët e mbetur në mbledhjen e 20 nëntorit. Ai deklaroi se do të marrë pjesë vetëm si anëar ex-officio pa ndërhyrë në diskutime apo vendimmarrje deri në një vendim të gjykatës për rastin e kontestuar. Takimi u zhvillua mes debatesh, ku një pjesë e anëtarëve kërkuan largimin e tij nga mbledhja, duke argumentuar se prania e tij bën kuorumin e paligjshëm.
Pas përplasjeve verbale, disa anëtarë- përfshirë Visar Krasniqin, Veton Shabanin, Dardan Vuniqin dhe Arian Gashin lëshuan takimin, ndërsa për rend të ditës u propozua edhe shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj.