Hoxhaj kritikon Kurtin: Ka pranuar dokumente të negociuara në lloj-lloj skute të Evropës [video]
Foto: Laura Hasani

Hoxhaj kritikon Kurtin: Ka pranuar dokumente të negociuara në lloj-lloj skute të Evropës [video]

Aktuale December 04, 2025 - 19:35

Ish-ministër i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka folur sërish për mënyrën se si është trajtuar Marrëveshja e Brukselit dhe dokumentet përcjellëse, duke e quajtur një nga sfidat më të mëdha për pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

“Nuk e dijmë kush e ka shkru tekstin e Asociacionit! Ne kemi pas procese politike në këtë vend ku e dijmë kush e ka shkru marrëveshjen në Rambuje, kush e ka shkru Pakon e Ahtisaarit, e dijmë kush e ka shkru Marrëveshjen e Prillit, por opinioni publik nuk e din emrin e dy-tre ekspertëve të cilët e kanë draftu Marrëveshjen e Brukselit, Anexin e Ohrit”, ka deklaruar Hoxhaj.

“A e ka shkru Friedrich-Ebert-Stiftung, apo dikush tjetër, apo cili ka qenë ekipi që e ka shkru. Për çka fol kjo? Fol për tri dokumente të cilat në thelb e kanë dëmtu fuqishëm pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Nuk ka ndodh as në kohë lufte, nuk ka ndodh as në kohë të okupimit, nuk ka ndodh as në kohë të administrimit ndërkombëtar, nuk ka ndodhur as në kohën e pas pavarësisë së Kosovës, që shteti i Kosovës, qeveria e Kosovës, që klasa politike në Kosovë pranon një dokument pa e ditë kush është autori, pa pas rrol, pa pas pronësi.”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, këto tekste shkelin parimet kushtetuese dhe historinë e vendit.

“Se janë tekste, për të cilat unë kam fol në Kuvendin e Kosovës që i referohen Rezolutës 1244, që ka qëndrim të neutralitetit me pavarësinë e Kosovës. Janë tekste që hekin dorë prej Gjykatës Kushtetuese dhe i referohen Arbitrazhit. Janë tekste që kanë autonomi të plotë politike, territoriale. Janë tekste që jane negociu në lloj-lloj skute nëpër Evropë, për të cilat ne kemi informata se ku janë negociu këto tekste, të cilat kanë pas modele rajonale shumë të dëmshme edhe sa i takon pozitës së Kishës Ortodokse. z. Kurti nuk mundet me përballu presionin. Kjo është njëra prej gjërave më të dëmshme që i ndodh një vend.”