Smajl Latifi betohet për mandatin e katërt radhazi
Është mbajtur mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal të Rahovecit, ku kryetari i Komunës, Smajl Latifi dhe 27 asamblistë kanë dhënë betimin e tyre.
Me këtë rast, Latifi ka marrë zyrtarisht mandatin e tij të katërt radhazi si kryetar i Komunës.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes inauguruese, Latifi ka shprehur mirënjohje për besimin e qytetarëve dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së punës dhe përgjegjësisë në drejtimin e komunës.
Ai ka nënvizuar se mandati i tij nuk shihet si privilegj, por si detyrë për qytetarët e Rahovecit.
“Sot e vazhdoj mandatin tim si kryetar i komunës së Rahovecit për të tretën herë radhazi, të katërtën në këtë udhëtim të përbashkët. Ky është një besim i madh që një njeri mund ta marrë nga populli i tij. Ky është vlerësimi më i lartë që qytetari ja bën punës, përkushtimit dhe fjalës së mbajtur, dhe unë këtë besim e marr sikur privilegj, por si detyrim. Në këto vite kemi kaluar shumë rrugë bashkë, kemi ndërtuar e kemi përballuar sfida. Kemi marrë vendime të vështira, kemi punuar ditë pas dite, për ta çuar Rahovecin përpara. E kemi bërë me qetësi e përkushtim, me vendosmëri e guxim, me përgjegjësi e besim të bindur se vendi ynë asnjëherë nuk kishte as nuk ka kohë për të humbur, e as Rahoveci nuk ka kohë për të humbur”, tha ai.

Latifi shtoi se mandati i ri do të jetë një forcim i zotimit të tij për të çuar komunën drejt përparimit dhe standardeve më të larta të zhvillimit.
“Mandati që fillon sot është forcim i zotimit tim, një zotim i qartë se komuna e Rahovecit do të ecë drejt standardit, drejt përparimit dhe drejt një të ardhmeje që ndërtojmë me punë të përditshme. Unë betohem si një njeri që ka parë, ka mësuar, që di peshën e përgjegjësisë dhe e kuptoj ritmin që kërkon zhvillimi. Ky mandat është shenjë e qartë besimi, por është edhe thirrje për t’u mos u mjaftuar asnjëherë me atë që është bërë deri tani. Është thirrje për të çuar punët tutje”, tha ai. /EO