Zemaj për “Kurti 2”: Thuajse asnjë premtim s’e ka përmbushur, mendojnë se janë mbi ligjin
Foto: Laura Hasani

Zemaj për “Kurti 2”: Thuajse asnjë premtim s’e ka përmbushur, mendojnë se janë mbi ligjin

Aktuale December 10, 2025 - 08:19

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, duke thënë se besojnë në një mbështetje të fuqishme.

Ai u shpreh meritojnë që të jenë në krye të Qeverisë së ardhshme të Kosovës.

“Është tashmë dëshmi e qartë se pothuajse mbetemi i vetmi subjekt politik që para interesit personal dhe partiak ne nuk e vëmë asnjëherë interesin shtetëror, që nënkupton Kosovën, tash e sa vite dhe para interesit tonë personal dhe partiak nuk i vëmë interesat e qytetarëve në çfarëdo rrethane dhe në asnjë mundësi e cila përdoret ose keqpërdoret vetëm për një grusht vota, ose për qëllime elektorale”, tha Zemaj.

“Këto janë arsye të forta që neve na bëjnë të besojmë se e gëzojmë një mbështetje dhe do ta gëzojmë një mbështetje të fuqishme dhe mbi të gjitha meritojmë të udhëheqim me Qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës, edhe si pjesë kadrovike, por edhe si pjesë programore, asnjëherë duke dal para qytetarëve të vendit të kërkojmë votë mbi gjëra fiktive, por që janë mirë të studiuara”, u shpreh ai në Klan Kosova.

Ndërkaq, në lidhje me qeverinë “Kurti”, ai tha se nuk e ka përmbushur pothuajse asnjë premtim.

“Nga ky mashtrim është dëmtuar së pari interesi i Republikës së Kosovës dhe i qytetarëve. Nëse i shihni edhe në kalendarin e viteve dhe në pikat programore, pothuajse asnjë premtim nuk është i përmbushur”, tha Zemaj.

Tutje, ai kandidati për deputet tha se kjo qeveri i ka dhënë të drejtë vetes të sillet sikur është mbi ligjin.

“Këta njerëz me ardhjen në pushtet i kanë dhënë të drejtë vetes që janë edhe mbi ligjin. Shpeshherë i keni parë deklarimet e tyre që nuk i njohin as institucionet e drejtësisë”.

“Sa herë që atakohen ata krijojnë njëfarë paralelizmi që këto janë institucione të kapura, ndërsa kur ka aksione të mira, të mirëfillta dalin e krenohen dhe ky është ai mashtrimi politik që po e përmendi”, u shpreh Zemaj.