IKD: Qeveria ka demonstruar qasje kundër qeverisjes së mirë, mbrojti personat e dyshuar për korrupsion
Foto: Laura Hasani

IKD: Qeveria ka demonstruar qasje kundër qeverisjes së mirë, mbrojti personat e dyshuar për korrupsion

Aktuale December 10, 2025 - 10:32

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin me titullin “Llogaridhënia përballë skandaleve qeveritare”, ku përmbledh të gjitha rastet e dyshuara për shkelje ligjore e korrupsion brenda qeverisë, të cilat ndër vite janë bërë objekt raportimi mediatik.

Sipas IKD-së, Qeveria në detyrë gjatë të gjithë mandatit të saj ka demonstruar një qasje të kundërt ndaj parimeve të qeverisjes së mirë, e cila përfshin transparencën dhe llogaridhënien.

“Mirëpo, deri më tani Qeveria ka demonstruar një qasje të kundërt me parimet e qeverisjes së mirë në rastet e shumë dyshimeve për korrupsion të plasuara në publik ndaj zyrtarëve publikë”, thuhet në raportin e IKD-së.

Sipas këtij raporti, i cili u publikua në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, Qeveria shpesh ka mbrojtur persona të dyshuar për korrupsion, duke vënë në pikëpyetje edhe punën e institucioneve hetimore.

“Në vend që të promovojë transparencën dhe të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë, Qeveria shpesh ka mbrojtur personat e dyshuar, duke vënë në pikëpyetje punën e institucioneve hetimore dhe duke sulmuar organet e ndjekjes”, thuhet në raportin e IKD-së.

Në raport, tutje thuhet se Qeveria në vend se të ofrojë sqarime të plota lidhur me dyshimet për korrupsion, ajo shpesh ka injoruar akuzat ose ka mbrojtur zyrtarët e përfshirë.

“Mungesa e llogaridhënies publike për dyshimet e ngritura në publik për skandale të ndryshme ka cenuar parimet e qeverisjes së mirë. Në vend që të ofrohen sqarime të plota dhe transparente për publikun, institucionet shpesh kanë injoruar akuzat ose kanë mbrojtur zyrtarët e përfshirë, duke mos demonstruar llogaridhënie adekuate publike”, thuhet në raportin e IKD-së.

Në raportin e IKD-së përfshihet një përmbledhje e dyshimeve të plasuara në publik për skandale qeveritare, të cilat elaborohen në kontekstin e llogaridhënies si element kurcial i qeverisjes së mirë.

“Në mesin e këtyre rasteve përfshihen dyshimet e plasuara në publik për keqpërdorime në fushën e tregut të energjisë, kontratat njëburimore, dyshimet mbi keqpërdorimet me rezervat shtetërore, dyshimet për ndërhyrje politike në KEK, dyshimet për punësime politike në ndërmarrjet publike, ndarjet kontestuese të subvencioneve dhe fondeve si dhe raste ku ngriten dyshime për konflikt të interesit në projekte të mëdha infrastrukturore”, thuhet ndër tjera në raport.

Mirëpo, IKD-ja thekson se në këtë pikë është marrë parasysh edhe parimi i prezumimit të pafajësisë pasi rastet e përmbledhura në këtë raport, nuk nënkuptojnë se personat janë të fajshëm.

“IKD-ja e ka të qartë parimin e prezumimit të pafajësisë, ashtu që askush nuk mund të konsiderohet fajtor përderisa nuk vërtetohet e kundërta përmes një vendimi gjyqësor. Në këtë kuptim, rastet e përmbledhura në këtë raport nuk nënkuptojnë se personat e përmendur janë të fajshëm. Rastet e prezantuara janë raportime publike, për të cilat në publik janë ngritur dyshimet për vepra të ndryshme penale të natyrës korruptive, e të cilat përbëjnë interes publik”, thuhet në raport.