Mbyllje rrugësh, sirena e shtim forcash policor - Ambasada Amerikane njofton për ushtrimin që do ta bëjnë me Policinë e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Mbyllje rrugësh, sirena e shtim forcash policor - Ambasada Amerikane njofton për ushtrimin që do ta bëjnë me Policinë e Kosovës

Aktuale December 10, 2025 - 14:28

Ambasada e SHBA-së, përmes një komunikate për media, ka njoftuar për ushtrim të përbashkët që do ta zhvillojnë me Policinë e Kosovës më datën 12 dhjetor nga ora 15:00 deri në orën 21:00.

Ky ushtrim, siç njofton Ambasada, do të përqendrohet në menaxhimin e krizave, koordinimin në mes të agjencive dhe procedurat e reagimit ndaj emergjencave.

Ambasada Amerikane ka sqaruar se kjo është si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme nga SHBA-ja dhe Kosova për të forcuar bashkëpunimin në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në reagimin ndaj një sërë incidentesh të mundshme.

Ambasada amerikane ka njoftuar se gjatë ushtrimit, qytetarët mund të presin shtim të personalit të sigurisë dhe policisë së Kosovës tek Ambasada amerikane dhe zonat e tjera, ndërprerje trafiku e mbyllje të rrugëve sipas udhëzimeve të policisë.

“Prani të shtuar të Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në afërsi të Ambasadës së SHBA-së dhe zonave të tjera të caktuara të trajnimit në Prishtinë; Ndërprerje të përkohshme të trafikut dhe devijime, duke përfshirë mbyllje afatshkurtra të rrugëve sipas udhëzimeve të Policisë së Kosovës; Përdorim i mundshëm i sirenave, altoparlantëve dhe efekteve të tjera stërvitore që mund të jenë të dukshme për banorët dhe kalimtarët”, thuhet në njoftim.

Ambasada e SHBA-së thekson se ky është vetëm një ushtrim, jo ënjë përgjigje ndaj një incidenti të vërtetë.

“Ne i kërkojmë publikut mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre dhe të ndjekin çdo udhëzim të dhënë nga Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe”, shkruan Ambasada Amerikane.