Prindon Sadriu i ftuar në samitin në mbështetje të fëmijëve, i organizuar nga Melania Trump
Presidenca ka njoftuar se zotëria i parë, Prindon Sadriu, do të marrë pjesë në samitin e organizuar nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, në mbështetje të fëmijëve.
Presidenca thotë së do të kontribuojnë me angazhim konkret në mbështetjen e kësaj iniciative, nëpërmjet planeve që tashmë i janë prezantuar administratës së Trumpit.
Ky samit do të mbahet në muajin mars.
Njoftimi i plotë:
Zotëria i parë i Republikës së Kosovës, z. Prindon Sadriu, ka pranuar ftesë zyrtare nga zonja e parë e SHBA, znj. Melania Trump, për të marrë pjesë në samitin ndërkombëtar, që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë në muajin mars. Samiti do t’i dedikohet iniciativës së zonjës së parë Melania Trump “Fostering the Future Together”, të cilës Kosova iu bashkua në shtator 2025.
Kjo nismë globale e Shtëpisë së Bardhë do të vërë në dispozicion teknologji të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, për të mbështetur fëmijët, prindërit, si dhe edukatorët, duke siguruar njëkohësisht mbrojtjen e të rinjve nga rreziqet online. Kompanitë më të mëdha botërore të teknologjisë janë zotuar t’i ofrojnë këto mjete pa kosto ose me kosto shumë të ulët për Kosovën dhe vendet e tjera pjesëmarrëse.
Iniciativa e Zonjës së Parë Trump lidhet edhe me prioritetet e presidentes Osmani për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga rreziqet digjitale si dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative në përputhje me interesat e fëmijëve. Presidenca e Kosovës do të kontribuojë me angazhim konkret në mbështetjen e kësaj iniciative, nëpërmjet planeve që tashmë i janë prezantuar administratës së presidentit Trump.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit nënvizon angazhimin tonë në fuqizimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të avancuar mirëqenien dhe zhvillimin e gjeneratës së re, si dhe për të forcuar më tej partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.