Musliu-Shoshi: Asnjëherë s’kam folur kundër shtetit tim, sikurse disa oponentë politikë
Foto: Laura Hasani

Musliu-Shoshi: Asnjëherë s’kam folur kundër shtetit tim, sikurse disa oponentë politikë

Aktuale December 11, 2025 - 09:39

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka folur rreth përgatitjeve që po i bën ky subjekt politik për të nxjerrë një rezultat sa më të mirë në këtë garë.

Musliu-Shoshi pati kritika të ashpra ndaj qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo deklaroi në Klan Kosova se pavarësisht se ka qenë në opozitë, asnjëherë s’ka folur keq për vendin në prezantimet ndërkombëtare, ashtu qysh sipas saj kishin vepruar oponentët politikë.

“Mendoj që e kam dëshmuar vetën në fusha të ndryshme, në veçanti në atë të politikës së jashtme, ku edhe e kam prezantuar Partinë Demokratike në Këshillin e Evropës, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës po ashtu edhe në Parlamentin Evropian, në Komisionin për Punë të Jashtme, në Komisionin për Stabilizim-Asociim. Ndoshta nuk janë tema që kanë aq shumë popullaritet, megjithatë janë tema shumë të rëndësishme dhe pavarësisht faktit që kemi qenë opozitë, interesi i Kosovës si shtet i tejkalon interesat partiake, të paktën për Partinë Demokratike dhe për atë se çka unë përfaqësoj”, deklaroi ajo.

“Dhe asnjëherë nuk e kam përfaqësuar Kuvendin e Kosovës jashtë dhe të flasë kundër shtetit tim, siç kanë bërë më herët disa oponentë, por kam lobuar me tërë qenien sikur të ishte PDK-ja në pushtet”, theksoi Musliu-Shoshi.