Haradinaj: 7 vjet ushtri, vendimi që vulosi sovranitetin e Kosovës
Në përvjetorin e 7-të të formimit të Ushtrisë së Kosovës, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar një nga vendimet më të rëndësishme shtetformuese të pasluftës, duke theksuar se krijimi i Ushtrisë ishte një akt historik i marrë nga Qeveria "Haradinaj" me bekimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Erdhëm në paqe, në rresht me ushtritë e paqes. Shtatë vite guxim, shtatë vite krenari, shtatë vite Ushtria e Kosovës krah nesh”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka nënvizuar se Ushtria e Kosovës lindi nga sakrifica e madhe e luftës çlirimtare, nga gjaku i derdhur i dëshmorëve dhe nga amaneti i atyre që nuk u kthyen kurrë, por që i lanë Kosovës lirinë dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë.
“Sot kemi ushtri. Sot kemi shtet më të sigurt. Sot kemi Kosovë më të fortë”, ka përfunduar Haradinaj, duke e cilësuar formimin e Ushtrisë si një hap që vulosi sovranitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.