Osmani nderohet me çmimin “Bonifacio VIII” në Anagni
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u nderua mbrëmë në Anagni, qytetin e Papëve, me çmimin “Bonifacio VIII”, i ndarë nga akademia “Bonifaciana”, në vlerësim të angazhimit të saj institucional për paqen, si dhe kontributit të vazhdueshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndërfetar.
Ky vlerësim i lartë pasqyron frymën dhe misionin e akademisë “Bonifaciana”, një institucion prestigjioz që vendos në themel të veprimtarisë së tij drejtësinë, dinjitetin njerëzor dhe paqen. Çmimi “Bonifacio VIII” u është ndarë më herët personaliteteve të shquara botërore, duke përfshirë edhe Shenjtërinë e Tij, Papa Gjon Palin II.

Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se ky çmim përforcon më tej përkushtimin e saj ndaj këtyre vlerave universale dhe të përhershme, të cilat udhëheqin vizionin dhe veprimin institucional të Republikës së Kosovës në ndërtimin e paqes, dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve.