Heqja e masave nga BE akoma e paqartë
Foto: Laura Hasani

Heqja e masave nga BE akoma e paqartë

Aktuale December 15, 2025 - 17:00

Ndërsa u arrit deri te transferimi i qetë i pushtetit, i cili ishte kusht kyç për nisjen e procesit të heqjes së masave, Bashkimi Evropian vazhdon të hezitojë të përkushtohet ndaj një afati kohor se kur eventualisht mund të ndodhë heqja e tyre.

Një nga formulimet më të fundit që figuron në draftin e konkluzave thotë se:“Duke marrë parasysh transferimin e rregullt të qeverisjes vendore në katër komunat veriore, Këshilli rikujton konkluzat e tij nga viti i kaluar dhe mirëpret heqjen e masave të mbetura”.

Gjuha, gjithsesi, është më pozitive sesa në versionet e mëhershme. Ajo që dihet, por nuk thuhet publikisht, është se ende po hezitohet që masat të hiqen para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

E panjohura e dytë lidhet me faktin nëse masat do të hiqen plotësisht apo gradualisht. Për momentin, sipas asaj që merret vesh, Komisioni Evropian po përgatitet të heqë gjysmën e masave të mbetura.

Ende nuk është arritur pajtimi për tekstin e konkluzave mes vendeve anëtare, ndonëse janë zhvilluar disa takime gjatë javës së kaluar.

Sidoqoftë, teksti final, i cili përfshin edhe kapitullin kushtuar Kosovës, pritet të miratohet në takimin e së martës të ministrave për Evropën./RTK