Smajlaj: Vizita e Osmanit në Mitrovicë mund të perceptohet si anësi politike
Politologu Avdi Smajlaj ka komentuar vizitën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mitrovicë, ku ajo ka vizituar kryetarin e ri të kësaj komune, Faton Peci.
Smajlaj ka ngritur dilema nëse presidentja ka zhvilluar vizita edhe në komuna të tjera ku kryetarët e rinj kanë marrë mandatin, duke vënë në pikëpyetje neutralitetin e saj politik.
“Nuk e di nëse ka pasur edhe vizita të tjera në komuna ku kryetarët e rinj kanë marrë mandatin. Nëse nuk ka pasur vizita të tilla dhe këto kanë filluar tani, atëherë lind pyetja nëse do të ketë vizita të tjera. Nëse kjo është e vetmja vizitë, atëherë presidentja po tregon se po mban anë politike, qoftë me një parti me të cilën ka qenë e lidhur më herët, qoftë me një subjekt me të cilin mund të jetë edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Smajlaj.
Ai ka theksuar se një sjellje e tillë nuk është në përputhje me rolin kushtetues të presidentes për të qenë figurë unifikuese dhe neutrale ndaj partive politike.
“Kjo tregon se ajo nuk është në krye të detyrës së mbajtjes së neutralitetit politik. Duke marrë parasysh mënyrën e sjelljes së presidentes gjatë këtyre pesë viteve, nuk është hera e parë që ajo shfaqet haptazi me raporte më të afërta ose me mbështetje për një parti të caktuar, në raport me partitë e tjera”, ka shtuar ai.
Sipas Smajlajt, reagimet eventuale nga partitë e tjera politike do të ishin të arsyeshme.
“Unë mendoj se reagimi nga partitë e tjera është i drejtë, sepse nëse kjo vizitë është bërë vetëm te një kryetar i caktuar, atëherë kjo përbën nënçmimin më të madh ndaj partive të tjera dhe nuk është në përputhje me atë që pritet nga një presidente që duhet të jetë neutrale dhe jo të anojë në anën e një partie politike”, ka përfunduar Smajlaj./teve1