Ndotja e ajrit në rritje në Kosovë, mjekët apelojnë për kujdes në ditët me mjegull
Foto: Laura Hasani

Ndotja e ajrit në rritje në Kosovë, mjekët apelojnë për kujdes në ditët me mjegull

Aktuale December 15, 2025 - 20:57

Me uljen e temperaturave, rritet edhe përdorimi i lëndëve djegëse.

Kjo ka ndikuar që gjithandej Kosovës të rriten nivelet e ndotjes së ajrit.

Sipas Indeksit të Cilësisë së Ajrit, në Prishtinë ajri është i pashëndetshëm për grupet e ndjeshme, pasi që vlera e tij është në 109.

“Ajrin që ne e thithim nuk është i pastër. Unë, i përcjelli edhe këto aplikacionet që janë në telefon e shoh që nuk është i pastër sidomos këto grimcat e vogla. Unë edhe në shtëpi e shoh që është larg nga Obiliqi po edhe aty duket që ka pluhur. Institucionet kanë mundësi të mëdha me bë, së pari me zvogëluar numrin e përdorimit të thëngjillit edhe drurit e ajo mundësi ekziston me zgjeruar rrjetin e ngrohjes së ngrohjes qendrore që ekziston në Prishtinë”, ka thënë Hajrizaj.

Por, sipas qytetarëve Prishtina  me një ajër të tillë përballet gjatë tërë vitit.

“Gjatë tëre viti Prishtina njihet për ajër ndoshta jo të ndotur, por jo të shëndetshëm. Ka shumë faktorë e një nga ta janë edhe veturat e bizneset e mëdha, por edhe mungesa e ujit”, ka thënë qytetari tjetër Fonqi.

Kurse, sipas ambientalistit Besnik Shabiu ndotësit më të mëdhenj janë termocentralet dhe jo vetëm.

“Ne e dimë se pothuajse të vetmin burim të energjisë elektrike i kemi termocentralet Kosova A dhe Kosova B  e të njëjtën kohë janë edhe burimet kryesore të ndotjes në vend. Pra me rënien e temperaturave me rritjen e kërkesës për ngrohje rritet edhe nevoja që termocentralet me rrit kapacitetin e tyre të punës e si rezultat i kësaj imitim i gazrave bëhet edhe më i madh”, ka thënë Shabiu.

Shabiu, theksoi se një rol të madh në ndotjen e ajrit luajnë edhe veturat, por edhe përdorimi i thëngjillit dhe drurit për ngrohje në stinën e dimrit.

Por cilët persona janë më të rrezikuar nga kjo ndotje e lartë e ajrit?

“Më së shumti që kanë qenë të prekur nga këto ekspozime kanë qenë grupet e pacienteve ose njerëzve që kanë problem respiratorë. Përveç atyre edhe ata që kanë probleme tjera kronike si ata me sëmundje malinje, kanceroze, sëmundje te zemrës, por veçanërisht ata që kanë sëmundje si asma bronkiale, bronkiti kronik ose problem tjera respiratorë. Këta kane qenë ata të cilët më së shumti i kanë vuajtur këto nivele të larta”, ka theksuar Morina.

Madje, sipas drejtorit të Klinikës së Pulmologjisë, në fundin e muajit nëntor dhe fillimin e muajit dhjetor ka pasur një fluks të shtuar të pacientëve të cilëve iu përkeqësuar gjendja nga ndotja e ajrit.

Andaj, doktori Morina kërkon që të shmanget dalja në kohën kur ka mjegulla./teve1