Ish-nënkoloneli britanik kritikon KFOR-in: Kosova në periudhën më të rrezikshme që nga viti 1999, KFOR-i pasiv ndaj Serbisë
Nënkoloneli britanik në pension, Ade Clewlow, ka kritikuar ashpër misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, duke vënë në dyshim gatishmërinë e tij për të garantuar sigurinë e vendit.
Sipas Clewlow, KFOR-i posedon kapacitete të mjaftueshme për ta mbrojtur Kosovën, por i mungon vullneti politik për ta bërë këtë.
Ai thekson se përbërja e forcës përfshin vende perëndimore si Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe shtete që, sipas tij, kanë qëndrime problematike ndaj Kosovës.
“Përbërja e KFOR-it përfshin vende të botës perëndimore të rangut të parë, si SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar, me oficerë dhe trupa rezervë nga SHBA-ja dhe forca të rregullta nga Britania. Por ajo përfshin gjithashtu vende si Hungaria, e cila ka një pakt mbrojtës me Serbinë. Është shumë pak e mundshme që një shtet me një pakt të tillë të përdorë forcë kundër Serbisë, nëse ajo do të tentonte të hynte në Kosovë. Në KFOR ka edhe forca nga vende si Sllovakia, të cilat publikisht kanë deklaruar se janë aty për të mbrojtur serbët etnikë”, ka deklaruar Clewlow për Tëvë1.
Clewlow, i cili ka shërbyer edhe si oficer ndërlidhës i KFOR-it me Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ka përmendur zhvillimet e viteve të fundit në veri të vendit për të mbështetur argumentet e tij.
Sipas tij, trupat paqeruajtëse të NATO-s kanë treguar butësi ndaj agresionit serb.
“Agresioni serb ka qenë shumë i dukshëm në dy vitet e fundit. Në maj të vitit 2023, sipas mendimit tim, pati një akt brutal nga serbët etnikë me qëllim zbutjen e KFOR-it dhe dërgimin e një mesazhi të qartë: ‘mos u afroni më kurrë’. Kjo i parapriu aktit të qëllimshëm në Banjskë. Në javët dhe muajt para shtatorit të atij viti, armë, armatime dhe municione u transportuan nga Serbia në Kosovë. Këto u denoncuan nga britanikët, por nuk pati asnjë reagim nga KFOR-i. Ky është thelbi i problemit”, ka deklaruar ai.
Clewlow thotë se qëllimet e Serbisë nuk kanë ndryshuar dhe ajo vazhdon të paraqesë rrezik serioz për Kosovën.
Ai vlerëson se vendi nuk ka qenë kurrë më i rrezikuar që nga viti 1999.
“Pa asnjë dyshim, ushtria serbe është shumë e aftë dhe, nëse do të donte, mund ta kalonte kufirin. Tani e dimë se trupat e KFOR-it thjesht do të vëzhgonin situatën dhe do të raportonin në nivele më të larta. Serbia mbetet një kërcënim ushtarak. Ata e kanë demonstruar më herët qëllimin e tyre dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Kjo është ndoshta periudha më e rrezikshme për Kosovën që nga viti 1999 sa i përket kërcënimit serb, dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjohet ndaj këtij fakti”, thekson Clewlow.
NATO ka mision paqeruajtës në Kosovë që nga përfundimi i luftës, ndërsa aktualisht në kuadër të KFOR-it janë të angazhuara mbi 4.600 trupa nga 29 vende të botës.
Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.