Diskutohet për arritjet dhe sfidat në përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Diskutohet për arritjet dhe sfidat në përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Aktuale December 16, 2025 - 10:49

Zyra e Kryeministrit, në bashkëpunim me Terre des hommes në Kosovë, VoRAE dhe Fondacionin HEKS, ka mbajtur konferencën me temën “Avancimi i të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian – arritjet dhe sfidat”.

Beate Elsasser, Udhëheqëse për Bashkëpunim në Zyrën Zvicerane në Kosovë, tregoi për mbështetjen e Zvicrës për shoqërinë civile në Kosovë, përfshirë zbatimin e Kornizës Strategjike të BE-së për Përfshirjen e Romëve dhe projektin SORAE, që synon luftimin e diskriminimit dhe promovimin e arsimit, strehimit dhe punësimit gjithëpërfshirës.

“Pjesëmarrja qytetare dhe përfshirja sociale janë vlera themelore të përcaktuara në Kushtetutën Zvicerane. Në një masë të caktuar, ato përfaqësojnë një version më të hershëm të parimit tashmë universal “të mos lihet askush pas”. Pjesëmarrja qytetare dhe përfshirja janë gjithashtu vlera kyçe që udhëheqin punën e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Ne promovojmë pjesëmarrjen si një mjet për të siguruar që qytetarët dhe palët e interesuara të kenë zë në vendimmarrjen publike, duke i bërë institucionet vërtet përgjegjëse ndaj nevojave të ndryshme të qytetarëve. Po ashtu, ne promovojmë përfshirjen si vizionin e mundësive të barabarta dhe dinjitetit për të gjithë. Përfshirja sociale dhe mbështetja për shoqërinë civile janë thelbësore për përpjekjet tona për qeverisje të mirë dhe zhvillim të drejtë njerëzor në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në Kosovë, kjo përkthehet, ndër të tjera, në mbështetjen tonë për zbatimin e Kornizës Strategjike të BE-së për Përfshirjen e Romëve. Zvicra ka bashkëpunuar ngushtë me aktorë të ndryshëm për të ndërtuar në mënyrë aktive një shoqëri më gjithëpërfshirëse në Kosovë për komunitetet rome, ashkalinj dhe egjiptianë. Qeveria ka detyrimin të sigurojë mosdiskriminim dhe përfshirje, por organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol qendror në hartimin dhe zbatimin e politikave, si dhe në nxitjen e ndryshimeve shoqërore. Ne kemi mbështetur shoqërinë civile në Kosovë përmes programeve të ndryshme, si ai me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile. Një tjetër është projekti i organizatave që janë të pranishme këtu sot, të cilin e quajmë Përfshirja Sociale për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët (SORAE). Këto bashkëpunime na kanë mundësuar të mbështesim luftën kundër diskriminimit, të promovojmë politika gjithëpërfshirëse në arsim dhe strehim, si dhe të avancojmë mundësi të barabarta për punësim”, deklaroi Elsasser.

Habit Hajredini, drejtor për të Drejta të njeriut, barazi gjinore dhe mundësi të barabarta në Zyrën e Kryeministrit, tha se ky samit rajonal për luftimin e diskriminimit përbën një model për rajonin.

Ai theksoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e diskriminimit, prioritetin e Strategjisë Kombëtare për Përfshirjen e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve.

“Po e hapim këtë samit rajonal për luftimin e diskriminimit që është bërë shembull në rajon dhe më gjerë, këtë radhë bëmë bashkë shoqërinë civile dhe institucionet. Tema që trajtojmë këto dy ditë në samit që ka fokus luftimin e diskriminimit është në interes të shtetit tonë sepse rrjedha e procesit ka rrjedhë ka procesi i Berlinit. Ne si Kosovë kemi marrë vendime të menjëhershme në parandalimin e diskriminimit. Siç jeni në dijeni Qeveria ka krijuar mekanizëm për të parandaluar diskriminimin. Duke parë rëndësinë e madhe që ka shoqëria bashkëpunim me projektin, kemi dizajnuar kemi dhënë idenë për të eliminuar diskriminimin në komunitet tani shoh një progres të madh. Ne kemi dhënë prioritet strategjisë nacionale të përfshirjes së romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve. Ne po mundemi të përçojmë mesazhin e marrjes së veprimet në të gjithë institucionet. Natyrisht korniza ligjore për ne është prioritet, është një ligj që është model për rajonin dhe për zbatimin që kemi punuar kemi arritur në ligjin aktual komponentë për mbrojtje nga diskriminimin. Çështja e antigjipsizmit k hyrë në domenin e punës së përditshme tonë, i kemi dhënë përparësi çështjes së edukimit. Kemi dhënë prioritet çështjen e buxhetimit romë, është një nga kërkesat por edhe nevojat tona që ne të fokusohemi për buxhetimin në nivelin lokal kemi pasur një takim te përbashkët të nivelit qendror. Është një model brilant i këtij samiti”, ka thënë ai.

Isak Skenderi, Drejtor Ekzekutiv i Zërit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VoRAE), theksoi se përparimi drejt barazisë dhe dinjitetit për të gjithë arrihet vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe angazhimit kolektiv.

“Për shumë vite, ne që punojmë në shoqërinë civile kemi folur për shoqëri më të mira, shoqëri të ndërtuara mbi barazi, drejtësi dhe dinjitet për të gjithë. Këto aspirata shpesh kanë filluar si ide, ndonjëherë edhe si marrëveshje të heshtura, shumë përpara se të marrin formën e politikave, programeve apo angazhimeve publike. Gjatë viteve kam pasur fatin jo vetëm t’i mbart këto aspirata, por edhe të shoh se si disa prej tyre janë materializuar përmes përpjekjeve të përbashkëta, këmbënguljes dhe partneriteteve të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta. Megjithatë, përvoja më ka mësuar një mësim thelbësor: përparimi nuk është kurrë rezultat i vizionit të një individi të vetëm. Ndryshimi bëhet i mundur vetëm kur të tjerët zgjedhin të hyjnë në atë vizion dhe ta marrin përsipër atë. Personat e mbledhur në këtë sallë e kanë bërë pikërisht këtë. Ju nuk jeni këtu thjesht sepse mbështesni një ide, por sepse keni vendosur të investoni në të, të vini në pikëpyetje praktikat e konsoliduara, të sfidoni sistemet kur ato dështojnë dhe të pranoni përgjegjësinë që kërkon një ndryshim domethënës. Vetë ky aktivitet është një shprehje e dukshme e këtij angazhimi të përbashkët. Në këtë kuptim, kjo sallë përfaqëson më shumë se një takim. Ajo përfaqëson një vendosmëri kolektive për të kontribuar në një Kosovë të barabartë dhe në një Ballkan Perëndimor ku të drejtat e njeriut nuk zbatohen në mënyrë selektive, por mbrohen në mënyrë universale”, ka theksuar Skenderi. /eo