Abdixhiku letër BE-së: Kushti është plotësuar, të hiqen masat ndaj Kosovës
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku letër BE-së: Kushti është plotësuar, të hiqen masat ndaj Kosovës

Aktuale December 16, 2025 - 14:54
Pas Hamzës, edhe Abdichiku i çon letër BE-së – i kërkon largimin e menjëhershëm të masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i ka dërguar letër zyrtare presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, duke i kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës.

Përmes një komunikate për media, LDK thotë se sanksionet e Bashkimit Evropian po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e shtetit.

LDK-ja pos tjerash thotë se Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj evropian.

“LDK vlerëson se vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend. Pushteti lokal në Republikën e Kosovës në komunat veriore tashmë është transferuar dhe është plotësuar kriteri i vendosur nga BE-ja. Këto masa kanë dëmtuar drejtpërdrejt Kosovën dhe qytetarët e saj, e jo politikanët. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara dhe të parealizuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës, në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit. Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj evropian! Në vijim letra e kryetarit dhe kandidatit për kryeministër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Lumir Abdixhiku drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen”, thuhet në njoftim.

Theksojmë se edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në fillim të muajit dhjetor i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, përmes së cilës i ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës.