Hamza viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka vizituar sot Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe ish-krerët tjerë të UÇK-së që po mbahen në Hagë nga Gjykata Speciale.
Hamza ka thënë se muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre.
“I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu”
“Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi. Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare”, ka shkruar Hamza.
Ai shtoi se, Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. “Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi”.
“Të fala nga Haga! Iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor!”, ka shkruar Hamza. /Zëri