Osmani udhëton në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor
Foto: Laura Hasani

Osmani udhëton në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor

Aktuale December 16, 2025 - 18:11

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për Bruksel, për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.

Kjo u bë e ditur nga Zyra e Presidencës përmes një komunikate, raporton Zeri.info.

Bëhet e ditur se në këtë Samit do të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.

“Përgjatë samitit, Presidentja do të ketë takime me liderë të institucioneve të BE-së dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të tjerë pjesëmarrës lidhur me çështje me interes të Kosovës. Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve.

Në agjendën e diskutimeve të Samitit përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat”, thuhet në komunikatë. /Zëri