Nëna e Bleona Matës rrëfehet mes lotësh: Qamilja ka dashur t’i marrë dy fëmijët e mi
Nëna e Bleona Matës, zonja Bukurie, vajza e së cilës u zhduk në rrethana misterioze në vitin 2010 në moshën 6-vjeçare, mes lotësh, dhimbjes dhe emocionesh të forta, ajo foli për makthin që po jeton familja e saj prej 15 vitesh.
Zonja Bukurie përkujtoi me lot datën e rëndë: 22 maj 2010, dita kur Bleona u zhduk. Ajo shprehu se që nga ajo ditë, jeta e tyre është kthyer në një “makth, stres, mërzitje dhe depresion”, pasi u mungon “një pjesë e shpirtit”. Edhe pse nuk ka asnjë dijeni për fatin e vajzës, ajo theksoi me forcë: “Si nënë nuk i kam humbur dhe nuk i humbas shpresat.”
Gjatë intervistës, zonja Bukurie ngriti akuza të rënda ndaj uniformave blu, duke deklaruar se beson që ata nuk kanë punuar si duhet. Ajo u shpreh se kjo çështje mbetet ende një mister i pazgjidhur për policinë.
Ajo foli edhe për pesë vajzat që ishin me Bleonën kur u zhduk.
“Pesë vajzat e morën gocën, e çuan në mal dhe nuk mbajtën asnjë përgjegjësi. Këto pesë vajza sot jetojnë të lumtura dhe nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi. Nuk janë marrë në pyetje siç duhet,” tha ajo.
Mirëpo, familja vazhdon të mbajë gjallë kujtimin e Bleonës. Nëna tregoi me dhimbje se ata ende e festojnë ditëlindjen e saj, çdo vit. Ajo shtoi se deri sa të ketë jetë, do të kërkojë për vajzën e saj. Edhe djali i saj i vogël ka bërë një premtim prekës: “Një ditë kur të shkollohem unë, do ta kërkoj me rrugë private, jo mbështetur në shtet.”
Zonja Bukurie bëri një thirrje të fortë dhe publike, duke kërkuar një takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Qëllimi i saj është që Kryeministri të ndërhyjë dhe të bëjë thirrje, të paktën, që të thirren sërish në pyetje pesë vajzat, me shpresën se do të gjendet ndonjë pistë e re për fatin e Bleonës.
Ajo theksoi se Qamilja, halla e Bleonës ka dashur t’i marrë të dy fëmijët, por djali u kthye, vajzën ma mori. Shteti nuk më ka ndihmuar. Bashkia e Kukësit e di historinë time, komuna po ashtu. Unë çdo pjatë që mbush, nuk e ndaj kurrë pa ia mbushur edhe Bleonës./TCH