Osmani: Anëtarësimi në BE është fat i Kosovës, kemi punuar shumë për këtë
Foto: Laura Hasani

Osmani: Anëtarësimi në BE është fat i Kosovës, kemi punuar shumë për këtë

Aktuale December 17, 2025 - 09:41
Osmani: Po të mos kishin qenë komplikimet politike, Kosova do të kryesonte në rajon në anëtarësimin në BE

Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë në Euronews gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, ku shkoi për të marrë pjesë në samitin e sotëm BE - Ballkan Perëndimor.

Osmani aty u pyet rreth rrugës së Kosovës drejt BE-së dhe pengesat që ka para; ende s’është vend kandidat dhe nuk njihet nga pesë shtetet anëtare.

Ajo tha se rrugën e Kosovës drejt BE-së e përkeqësojnë komplikimet politike, sepse, sipas Osmanit, Kosova do të kryesonte në rajon për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.

“A do të bëhet ndonjëherë anëtare e BE-së, sipas jush?”, ishte pyetja e gazetares për Osmanin.

“Absolutisht. Është fati ynë. Është diçka për të cilën kemi punuar për një kohë shumë të gjatë dhe, edhe pse praktikisht kemi aplikuar vetëm disa vite më parë dhe shpresojmë që aplikimi ynë të jetë shumë, shumë shpejt në tryezën e shteteve anëtare të Këshillit, në fakt, si identitet, si shtet, si komb, ne kemi kontribuuar në vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Europian për shekuj me radhë. Prandaj, ne besojmë fuqishëm se, ndonëse është një proces shumë kompleks, nëse do të zbatohej kriteri i bazuar në meritë, Kosova realisht do të kishte qenë një nga vendet kryesuese deri tani. Por rasti ynë është më kompleks edhe për shkak të pesë vendeve mosnjohëse, për të cilat ne shpresojmë sinqerisht se do ta kuptojnë se ta kenë Kosovën si anëtare të Unionit nuk është vetëm në dobi të qytetarëve të Kosovës, por është një imperativ strategjik, një imperativ sigurie për të gjithë kontinentin”, ka thënë ajo.

Më pas Osmani u pyet për reformat dhe se sa ia ka dalë Kosova të përputhet me standardet e BE-së.

Këtu Presidentja bëri lëvdata për vendin, duke cituar disa raporte për sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit e reformat ekonomike dhe tha se megjithatë ka disa detyra për të bërë.

“Nëse shohim se çfarë thotë vetë BE-ja për këtë përparim, Kosova aktualisht është 100% e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Europian. Çdo vendim i vetëm në këto fusha është plotësisht i harmonizuar, qoftë sanksionet kundër Rusisë apo kundër kundërshtarëve të tjerë të botës perëndimore dhe asaj që përfaqëson BE-ja sot”.

Sa u përket vlerave, Kosova është gjithashtu plotësisht e harmonizuar, tha Osmani.

“Në aspektin e reformave të sundimit të ligjit, ne jemi një vend që kryesojmë dhe bazuar në indekse ndërkombëtare si Gallup International, të publikuara së fundmi, Kosova aktualisht renditet e para në Evropë për sa i përket indeksit të sundimit të ligjit. Ajo kryeson të gjitha vendet evropiane dhe është e treta në botë për sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit”.

Për këtë të fundit, Osmani tha se “ka qenë prioriteti kryesor i institucioneve tona”.

“Aktualisht, për sa i përket indeksit të perceptimit të korrupsionit, ne kemi nivelin më të ulët në rajon. Këto janë disa nga çështjet për të cilat kemi punuar fort. Sa i përket reformave ekonomike, sërish, sipas raporteve vjetore që marrim nga Bashkimi Evropian, ne jemi më të mirët në rajon. Në aspektin e reformave administrative, jemi më të mirët në rajon”.

“Natyrisht, ka ende disa gjëra dhe disa detyra shtëpie që duhet t’i përfundojmë, por mendoj se nëse nuk do të kishte komplikime politike që nuk kanë të bëjnë fare me reformat, ne do të kishim qenë absolutisht vendi kryesor në rajon deri tani”, tha ajo.

Por gazetarja i tha Osmanit se në krye aktualisht është Ukraina për shkak të situatës atje pasi iu dha statusi i vendit kandidat me shpejtësi.

“Si e bën kjo të ndihet Kosova?”, u pyet Osmani.

“Ne e mbështesim anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian. Siç thashë, kjo shkon përtej reformave të brendshme në një vend të caktuar. Nëse duam që Evropa të jetë e tërë, e lirë dhe në paqe, që ishte ëndrra e themeluesve, duhet të kuptojmë se edhe neve duhet të na jepet një mundësi për të ecur përpara. Dhe ndërkohë që, natyrisht, do të donim që Ukraina të përmbushte të gjitha reformat që kërkohen edhe nga ne të tjerët, kjo është gjithashtu një imperativ sigurie. Shikoni, kundërshtarë si Rusia, Kina dhe Irani nuk lënë asnjë hapësirë pa e shfrytëzuar. Nuk ka vakum. Nëse Bashkimi Europian, nëse marrëdhënia transatlantike nuk ushtron ndikimin e vet në Ballkanin Perëndimor, dikush tjetër do të vijë — jo për bamirësi, por sepse ka interesa strategjike atje”.