IKD: Vendimi i Supremes konfirmon se shkarkimi i Kelmendit u bë pa kuorum
Foto: Laura Hasani

IKD: Vendimi i Supremes konfirmon se shkarkimi i Kelmendit u bë pa kuorum

Aktuale December 17, 2025 - 21:28

Gjykata Supreme e ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, derisa vendimin e KPK-së Supremja e vlerëson të kundërligjshëm, arbitrar dhe të pabazë. Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se vendimi i sotëm i Supremes tregon se si duhet të veprojë Këshilli Prokurorial në aspektin meritor dhe procedural.

Gjykata Supreme e ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit nga detyra e ushtruesit të detyrës së kryeprokuror të shtetit. Supremja ka vlerësuar se vendimi i KPK-së është i kundërligjshëm teksa ia ka kthyer lëndën Këshillit për rishqyrtim dhe rivendosje.

Gjykata Supreme gjeti se vendimi i Këshillit Prokurorial ishte i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pabazë. “Është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të marrë vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar”,  thuhet në vendimin e kësaj gjykate.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se vendimi i supremes konfirmon se në këtë rast nuk kishte mbledhje të rregullt që mund të merrej një vendim i tillë për shkarkim, derisa nënvizon se Supremja me këtë vendim tregon se si duhet të veprojë këshilli prokurorial në aspektin meritor dhe procedural.

"Lajmi se Gjykata Supreme ka nxjerr një aktgjykim për të anuluar vendimin e kundër ligjshëm për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit konfirmon atë që kemi thënë si IKD se në rastin konkret nuk kishte kuorum nuk kishte një mbledhje të rregulltë dhe nuk ishte një mbledhje nga e cila mund të merret ndonjë vendim përfshirë edhe vendimin në rastin konkret dhe se vendimi i Gjykatës Supreme përtej dispozitivit që e anulon vendimin e rastit konkret dhe e kthen atë në rishqyrtim edhe në meritat e tij tregon se si duhet të veproj Këshilli Prokurorial i Kosovës edhe në aspektin meritor edhe procedural" ,tha Shala.

Besim Kelmendi u shkarkua muajin e kaluar pas raportimeve që pretendojnë një bashkëpunim të tij në vitin 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut. Ai i ka mohuar këto pretendime. Shkarkimi i tij shkaktoi polemika për ligjshmërinë e vendimit, pasi ai u votua nga vetëm pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial. Kelmendi u ankua në Supreme pasi Gjykata Themelore nuk ia pranoi ankesën kundër shkarkimit. Ndryshe në vendimin e supremes thuhet se çdo vendim që ishte marrë pas shkarkimit të Kelmendit atë ditë, është i kundërligjshëm./rtk