Supremja shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensimin e udhëtimeve zyrtare
Foto: Laura Hasani

Supremja shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensimin e udhëtimeve zyrtare

Aktuale December 18, 2025 - 14:09

Gjykata Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e paraqitur kundër Qeverisë së Kosovës.

Në një njoftim nga Supremja, thuhet se është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar Neni 6, paragrafi 6 i Rregullores (QRK) nr. 06/2023 për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësja KDI-ja, në Gjykatën Supreme të Kosovës, ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të Nenit 6 të Rregullores (QRK) nr. 06/2023 Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

“Paditësi, në muajin korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i Ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare”.

“Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi. Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendosë kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj. Por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, nuk parashihet në ligj”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Supremja sqaron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

“Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë. Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon thelbin e së drejtës së garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë”, thuhet në njoftim. /Zëri