Flet sërish meteorologu që parashikoi dhe u demantua se Kosova do të përballet me temperatura deri në -20 gradë në fundvit
Menaxheri i departamentit meteorologjik në KANS, Sherif Gosalci, ditë më parë paralajmëroi se fundviti pritet të jetë i ftohtë, me borë me temperatura që mund të zbresin në -20 gradë Celsius.
Ky paralajmërim u demantua nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, nga të cilët thanë se parashikimet bazohen nga 7-10 ditë dhe se ai është i vetmi institut që mund t’i besohet.
Gosalci tha se paralajmërimi i tij ka qenë preliminar dhe shtoi se gjasat janë që pjesa e dytë e javës së ardhshme të jetë me borë dhe që në ditët festive të ketë temperatura më të acarta.
Pos të tjerash, ai tha se e kanë për detyrë t’i paralajmërojnë shërbimet e aviacionit për motin që mund të mbizotërojë.
“Për qëllime operative ne njoftojmë operatorët dhe kompanitë që fluturojnë në vendin tonë me parashikime disa javore. Postimi im ka qenë një paralajmërim preliminar. Ajo çka kam paralajmëruar unë dhe qëndroj pas asaj ende se zhvendosja polare që është duke ndodhë që është paralajmëruar me muaj të tërë, tashmë ka ndodhur dhe në pjesën e epërme të kontinentit tonë, në pjesën e epërme perëndimore, gjendet një cilogjenezë, ashtu thuhet në termat meteorologjikë, e cila me siguri që do të bartë pjesë të konsiderueshme të Evropës perëndimore gjatë Krishtlindjeve. Nëse futeni në rrjetet sociale edhe të mediave e portaleve të Evropës perëndimore, të gjithë kanë një qëllim të dinë a do të ketë Krishtlindje të bardha apo si do të jetë moti në atë periudhë. Jemi në fazën kur fëmijët tanë do të lëshohet nga shkolla dhe ta dimë se a do të ketë një vit të ri të të bardhë, me borë. Ashtu siç kam parashikuar në profilin tonë, në pjesën e dytë të javës së ardhshme presim të ketë reshje bore, mund të preken edhe zonat e ulëta të vendit tonë dhe me siguri që ditët festive do të jenë me acar. Ende probabiliteti nuk është i lartë meqë jemi dy javë lar, por moti në vazhdimësi duhet të përcillet”, tha ai në Klan Kosova.
Ai shtoi se në periudhën e dimrit nuk është diçka jonormale që temperaturat të shkojnë deri në -20 gradë.