Nisin gërmimet në lokacionin “Përzhina” në Rahovec, pasi u gjeten mbetje mortore

Nisin gërmimet në lokacionin “Përzhina” në Rahovec, pasi u gjeten mbetje mortore

Aktuale December 18, 2025 - 15:48

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) ka nisur aktivitetet kërkimore në lokacionin e njohur si “Përzhina”, në afërsi të varrezave të qytetit të Rahovecit, pas analizimit të të dhënave të siguruara nga arkivat ndërkombëtare me mbështetjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK).

Gërmimet kanë filluar ditën e djeshme dhe gjatë fazës së parë janë gjetur dy pjesë eshtërore, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkohë, sot janë zbuluar mbetje mortore që i përkasin të paktën një individi, për të cilin ekzistojnë dyshime se mund të jetë viktimë e luftës dhe pjesë e listës së personave të zhdukur.

Operacioni po realizohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Ky lokacion konsiderohet i fundit i paraparë në kuadër të gërmimeve vlerësuese për vitin 2025. Me këtë rast, KQPZH-ja ka njoftuar se nesër, më 19 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 11:00, do të mbahet një prononcim për media nga vetë vendi i ngjarjes, ku do të shpalosen detaje rreth ecurisë së deritanishme të kërkimeve në këtë dhe lokacione të tjera.

Institucionet përgjegjëse kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke garantuar transparencë ndaj opinionit publik dhe respekt të plotë për ndjeshmërinë e procesit, si dhe për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre. /Zëri