AKK-ja shpreson që komunat veriore do t’i kthehen

AKK-ja shpreson që komunat veriore do t’i kthehen

Aktuale December 18, 2025 - 20:57

Nuk i kanë mbushur ende një muaj prej kur morën detyrën.

Prijësit e ri të katër komunave veriore, u vunë në lëvizje.

Ndër punët e para të Kuvendeve Komunale të Zubin Potokut, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit e Leposaviqit, është tërheqja nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Ky vendim ishte i pritshëm për kryetarin e AKK-së.

Mirëpo, për ta është e paarsyeshme për shkak se Asociacioni i Komunave të Kosovës punon në interes të të gjitha komunave, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe partike.

“Ne si Asociacion mision e kemi punën për komunat e Republikës së Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë politike apo etnike nëpër ato komuna. Sepse në fund të fundit, gjatë lobimit tonë ne mundohemi t’i ndryshojmë ligjet të cilat prekin interesat e komunave si të tilla, e jo duke u bazuar në përkatësi politike apo etnike”, ka thënë Sazan Ibrahimi, kryetar i AKK-së.

Ibrahimi shpreson se këto komuna do të reflektojnë dhe do t’i kthehen Asociacionit.

“Ne jemi mekanizëm vullnetar dhe dera jonë gjithmonë ka qenë e hapur për gjitha komunat e Republikës së Kosovës, dhe mbesim me shpresë se duke parë natyrën e punës dhe aktiviteteve tona, që një vendim i tillë i marrë sot nga këto katër komuna të Republikës së Kosovës, do të rishqyrtohen në mënyrë që edhe ata të na bashkohen duke marrë njohuri, duke shkëmbyer përvoja”, shprehet ai.

Anëtarësimin e komunave veriore në AKK rreth dy vite më parë e kishin bërë kuvendet komunale nën qeverisjen e kryetarëve shqiptarë.

Ish kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tërheqjen e tyre e sheh si nisje jo të mirë të qeverisjes së re.

Vendimi për tërheqje nga Asociacioni, proceduralisht vihen në shqyrtim nga Ministria e Administrimin të Pushtetit Lokal./teve1