Haxhiu nuk lë opsion koalicionin paszgjedhor LVV-PDK pa reformim të PDK-së, akuzon sistemin e drejtësisë që heshti përball krimit dhe korrupsionit
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) insiston ta konsideroj qeverisjen e tyre si më të mirën që ka ndodhur në vend, duke vënë kritika dhe adresuar fajin tek partitë ish-opozitare edhe për ngërçin politik që vendi po përballet që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi që këto të zgjedhje nuk prodhuan një fitues që do të mund të formonte Qeverinë, raporton Ekonomia Online.
Ish-ministrja e Drejtësisë, njëherit nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online është shprehur e sigurt që në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit VV do të ketë rezultat shumë më të mirë se ato të 9 shkurtit, e ku thekson se tek pas zgjedhjeve do të flitet për koalicione, por ka përjashtuar mundësinë me PDK-në duke thënë se fillimisht kjo parti duhet të reformohet.
Gjatë intervistës Haxhiu ka vazhduar me avazin e ngjashëm duke sulmuar edhe Prokurorinë Speciale, por edhe duke thënë se shumë zyrtarë shtetëror u bën milionerë duke qenë veç politikanë, si dhe “lojën” politike me çështjen e Listës Serbe.
Haxhiu ka treguar për sipas saj përpjekjet e LVV-së për takime me partitë opozitare në kohën para se të vihej edhe Glauk Konjufca kandidat për Kryeministër.
“Unë besoj që gjatë kësaj kohe qytetarët e Kosovës kanë mundur t’i shohin veprimet e subjekteve politike, t’i vlerësojnë ato dhe më 28 dhjetor është dita kur ata do të vendosin se kush do të mbaj përgjegjësi për situatën aktuale prej subjekteve politike se cili do të mbështetet më shumë. Ne jemi në terren në vazhdimësi dhe shohim qëndrimet e qytetarëve në raport më situatën aktuale por sidomos edhe me periudhën me konstituimin e Kuvendit dhe me zgjedhjen e Qeverisë. Është e vërtetë që Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit ka qenë subjekti më i madh në vend, Kryeministri Kurti është personi me mbështetjen më të madhe qytetare ndonjëherë në Republikën e Kosovës por ajo nuk na ka mjaftuar që ne të arrijmë ta bëjmë Qeverinë edhe përkundër përpjekjeve tona që të kemi një bashkëpunim me LDK-në e me Nismën. Pastaj ka qenë e pamundur për faktin se sidomos Nisma ka pasur kërkesa në shpërputhje me fuqinë politike që kanë, ndërsa në anën tjetër LDK ka refuzuar të kenë takime me ne për ta bërë një koalicion qeverisës. Në këtë drejtim ajo që është e rëndësishme ta themi, është që në rrethanat e tilla kur LVV po varet çoftë edhe nga një deputet i një subjekti politikë, pastaj po tentohet që të vazhdohet me një mendësi të njëjtë si në të kaluarën ku ka pasur kërkesa të ndryshme, pazare për ta bërë koalicionin qeverisës. Prandaj ne nuk konsiderojmë që nuk bashkëpunojmë me subjektet politike, nuk është që ne duam të qeverisim vetë por këta po e vështirësojnë Kuvend të konstituar, Qeveri të zgjedhur nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe po zvarrisin krijimin e institucioneve. Është e rëndësishme që të kemi mbështetjen e qytetarëve dhe bazuar në situatën në terren, natyrisht që ne kemi mbështetje të madhe dhe qytetarët janë të vetëdijshëm për situatën dhe jam optimiste që rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të jetë shumë i mirë sesa ai i 9 shkurtit ndonëse e thash që ne jemi krenar që kemi mbështetjen e madhe. Natyrisht që kjo na bënë më shumë përgjegjës me veprimet tona, por në anën tjetër jam shumë optimiste për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ne po presim njëherë se cilat do të jenë rezultatet, pra kush prej subjekteve politike si ka dalë prej zgjedhjeve politike me përqindje, pastaj me deputetë dhe pastaj pas 28 dhjetorit, pas certifikimit, ne do të ulemi dhe do të shohim se a na duhet ndonjë subjekt politikë dhe kush prej tyre do të jetë si potencialisht që të qeverisim me ta por ende pa e parë rezultatin nuk mund të flasim. Sa i përket PDK-së edhe gjatë kësaj kohe PDK duhet të reformohet në mënyrë që VV ta konsideroj si partner por meqë jemi në rrethana të tilla fillon fushata zgjedhore është e rëndësishme ta presim rezultatin zgjedhor dhe të ulemi ta shohim me pas. Vlerësoj që për neve si VV është e rëndësishme që fokusin ta kemi të kjo fushatë zgjedhore, në takim me qytetarët dhe tubimet por edhe në mërgatë sepse siç e dini LVV ka takime të shumta më mërgatën dhe tek pas përfundimit të rezultatit apo të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të ulemi dhe të diskutojmë se si e shohim rrugën përpara”, tha ajo.
Haxhiu ka vlerësuar edhe listën e tyre për deputetë duke thënë se është lista më e mirë nga të gjitha partitë.
“Së pari ne kemi pasur në Prizren një tubim madhështor, në të cilin tubim kemi prezantuar listën prej 110 kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me partnerët tanë. Kësaj liste i prin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe në këtë listë gjeni aktivistë të hershëm të LVV-së , gjeni njerëz që janë të profesioneve të ndryshme qoftë jurist qoftë doktor ekonomistë, apo edhe fushave të tjera prandaj unë konsideroj që është lista më e mirë e këtyre zgjedhjeve, krahasuar me subjektet politike. Natyrisht që secili prej tyre po jep një kontribut maksimal në fushatën zgjedhore, prandaj edhe konsideroj që është lista më e mirë e këtyre zgjedhjeve”, theksoi ajo.
Kundërshtimet për certifikimin e Listës Serbe, Haxhiu e arsyeton mbi faktin se ajo nuk njeh Republikën e Kosovës dhe dirigjohet nga Serbia.
“Së pari ne kemi dhënë qëndrime tona në raport me Listën Serbe prej momentit kur Lista Serbe ka dalë si koncesion nga negociatat me Serbinë ne kemi thënë që Lista Serbe nuk është një subjekt politikë që ka dalë nga qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë por pas pazareve në negociatat me Serbinë. Ajo nuk e njeh as Republikën e Kosovës, as nuk ka veprime në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Përkundrazi e lufton Republikën e Kosovës, qoftë në Kuvend apo jashtë saj dhe duke ja shtuar faktin që nënkryetari apo kryetari formal i Listës Serbe, kryeterroristi Milan Radojçiq, siç e dini është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë dhe Serbia nuk e dorëzon atë. Prandaj, duke pasur parasysh plot informacione të tjera të cilat janë siguruar nga institucionet e sigurisë ne kemi konsideruar që Lista Serbe nuk duhet të certifikohet si subjekt politik. Ne kundërshtuam atë në KQZ por fatkeqësisht në instanca të tjera e kthyen mbrapsht vendimin e KQZ-së. Ne kundërshtuam kandidatët e Listës Serbe, sepse konsiderojmë që e drejta është në anën tonë nuk duhet që të garojnë në zgjedhje kandidatët të cilët nuk e njohin Kosovën. Ne kemi parë edhe qëndrime të partnerëve tanë, ne nuk presim që ti kemi qëndrimet e njëjta me partnerët tanë por konsiderojmë që duhet të veprojmë në përputhje me kushtetutën”, theksoi Haxhiu.
Haxhiu nuk ka shprehur shenja të tërheqjes nga krahasimi që bëri mes deputetëve të PDK-së dhe Listës Serbe, nëpërmjet një fotografie që kishte bërë në seancën ku Glauk Konjufca nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë Kryeministër e kësisoj pastaj ta formonte Qeverinë.
Për këtë ajo ka thënë se llogari nuk duhet të jap ajo, opozita që siç thotë që nga 15 prill në seanca konstituive kanë qenë në një linjë me Listën Serbe.
“Unë atë ditë e kam bërë këtë fotografi sepse ka qenë seanca e fundit pas shumë seancave në përpjeke për ta konstituar Kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi parë që Lista Serbe ka vazhduar me veprimet në linjë me opozitën. Në anën tjetër sa i përket PDK-së dhe LDK-së ne kemi parë votë kundër meje, kundër Kryeministrit Kurti, kundër Glauk Konjufcës që ka qenë kandidat për Kryeministër por asnjëherë nuk kemi parë votë kundër deputetëve të Listës Serbe. Pra sa herë ata janë vendosur në votim për nënkryetar të Kuvendit, kanë qenë 9 prej tyre që janë hedhur në votim për nënkryetar të Kuvendit, vazhdimisht opozita ka abstenuar, pra kurrë nuk ka votuar kundër tyre madje kanë votuar edhe kundër Nenad Rashiq që megjithatë e njeh Kosovën. Që nga 15 prilli nga seanca e parë konstituive, Lista Serbe dhe opozita kanë qenë në linjë dhe unë kam pasqyruar një realitet dhe nuk konsideroj që është problem një fotografi e imja por koordinimi dhe veprimet e njëjta në seancë dhe në KQZ. Siç e dini ata nuk votuan kundër certifikimit të Listës Serbe, ata abstenuan. Pra, opozita jonë fatkeqësisht nuk ka votë kundër Listës Serbe. Prandaj ata duhet të japin llogari e jo unë se pse e paskam bërë një fotografi që e kanë parë të gjithë qytetarët e Kosovës sepse mediat kanë qenë një numër i madh në seancë prapa deputetëve”, tha ajo.
Haxhiu thotë se VV ka bërë përpjekje që ta formonte Qeverinë por që votë bllokuese kishin veç opozita.
“Tash ne të gjitha seancat, në fakt që nga 15 prilli seancat kanë qenë publike, ka pasë një prezencë të mediave aty dhe që nga ajo datë ne kemi shkuar në seancë si subjekt politikë dhe kemi votuar qoftë për verifikimin e mandateve të deputetëve dhe ju e dini që këto dy herë opozita e kundërshtoi dhe e panë që gabuan dhe më pas e votuan raportin për verifikimin e mandateve që në fakt ishte një dokumentacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të duhej të votohej formalisht në Kuvend. Pastaj për disa herë, gjegjësisht gjashtë herë refuzuan që ta votonin emrin tim si Kryetare të Kuvendit. Pastaj refuzuan komisionin për votimin e fshehtë por në secilën seancë ose votonin kundër ose nuk merrnin pjesë ose abstenonin. Pra, vota për siç e ka bërë LVV në vazhdimësi nuk është votë bllokuese dhe që nga fillimi kemi qenë të interesuar që ta konstituojmë Kuvendin dhe pastaj ta votojmë Qeverinë e Kosovës. Por ne jemi përballë me veprime destruktive nga ana e opozitës, pra ata veçse refuzuan që të votonin për Kryetar Kuvendi, propozimin që i takonte LVV-së, ata votuan kundër Kryeministri Kurti edhe kundër personit të dytë zotit Glauk Konjufca si kandidat për kryeministër për faktin se nuk kemi pasur nevojë që të futemi në dy palë zgjedhje për një kohë kaq të shkurtër sepse vitin e ardhshëm do ta kemi sfidë me zgjedhjen e presidentit prandaj ne i kemi lutur ata që ta gjejmë një rrugë për hir të qytetarëve të Kosovës, ta votojnë kandidatin për kryeministër që ishte Glauk Konjufca më pas ta votojmë buxhetin gjegjësisht ne kemi pasur përpjekje edhe para votimit të kandidatit për kryeministër, pagat për RTK-në pastaj për tri komuna dhe për marrëveshjet ndërkombëtare por opozita nuk pranonte. Qytetarët janë ata që më së miri do t’i vlerësojnë veprimet e partive politike por ne kemi bërë gjithçka në mënyrë që të konstituohet Kuvendi por edhe të zgjedhet Qeveria. Kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të arsyeve që i përmenda dhe konsideroj që përgjegjësia i mbetet atyre për sa kohë vota për nuk është asnjëherë votë bllokuese”, nënvizoi ajo.
Ish-ministrja e Drejtësisë gjatë intervistës dhënë për Ekonomia Online foli edhe për institucionin që mund të themi më së shumti është marrë, atë të Prokurorisë Speciale, duke akuzuar se sistemi i drejtësisë mbyll sytë përball krimit dhe korrupsionit.
“Së pari ne kemi pasë përpjekje që nga fillimi i mandatit që ta bëjmë reformën në drejtësi dhe fatkeqësisht as Vettingu në sistemin e drejtësisë e as reforma në Këshillin Prokurorial nuk është mbështetur nga ana e sistemit të drejtësisë. Për sa kohë ka ekzistuar vullneti jonë i hekurt për ta shtyrë përpara reformën në drejtësi në anën tjetër pikërisht për shkak të kësaj reforme ne jemi përballë me veprime hakmarrëse nga ana e prokurorisë në raport me qeverinë vetëm për shkak të reformës në drejtësi dhe për shkak se ne kemi kundërshtuar që Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj të jetë Kryeprokuror i Shtetit. Në këtë drejtim ne konsiderojmë që Prokuroria nuk është ende në nivelin e duhur sa i përket luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Vetëm Qeveria e Kosovës ka dorëzuar mbi 200 dosje që kanë të bëjnë me dyshime për miliona euro që janë keqpërdorur, por në anën tjetër asnjëri prej këtyre rasteve nuk është trajtuar nga ana e Prokurorisë. Duket që ato dosje që i kemi dorëzuar thjesht janë vendosur diku në sirtarin e prokurorisë dhe nuk po merren parasysh nga ana e Prokurorisë Speciale prandaj kemi thënë ne nuk duhet të kemi Prokurori që i mbyll sytë përball krimit dhe korrupsionit. Shumë zyrtarë të Republikës së Kosovës janë bërë milionerë vetëm duke qenë politikanë, janë bërë milionerë para syve të këtyre institucioneve të drejtësisë dhe nuk do të ndalemi derisa ta bëjmë një sistem të drejtësisë të fuqishëm profesional dhe që nuk i intereson emri i përveçëm i personit që dyshohet për veprat që ka bërë. Ky ka qenë synimi ynë dhe kjo do të jetë puna jonë që do ta vazhdojmë në mandatin tjetër qeverisës dhe për faktin se ne kemi edhe shumë prioritete tjera që do të shtymë përpara përveç reformës në Këshillin Prokurorial – Vettingut, Byrosë për konfiskimin e pasurisë dhe do të ketë edhe shumë politike të reja në mandatin e ardhshëm. Prandaj jam shumë optimiste që do të arrijmë që ndonëse është shumë sfiduese për faktin që ju vet e keni parë se çfarë po ndodh me Këshillin Prokurorial gjatë kësaj kohe, pra duket që janë përpjekjet e fundit për ta goditur reformën në drejtësi, reformën në Këshillin Prokurorial që fatmirësisht nga 1 janari fillon dhe ndryshohet përbërja e Këshillit Prokurorial. Pra, konsiderojmë që të gjitha këto veprime që janë bërë kundrejt meje qoftë edhe me aktakuzat e ndryshme kundrejt Rozeta Hajdarit apo te tjera janë luftë brutale e Prokurorisë Speciale kundër Qeverisë sonë se sa që ka diçka për ta hetuar ose që dyshohet se ka ndodh aty”, theksoi Hahxiu.
Haxhiu i ka dalë në mbrojtje shefit të saj Albin Kurtit dhe ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari e cila po akuzohet për skandalin me Rezervat Shtetërore, e që e njëjta mungoi në seancën e parë gjyqësore.
“Asnjëherë Kryeministri Kurti nuk ka refuzuar ti përgjigjet kërkesës së Prokurorisë Speciale madje sipas i formacioneve që unë i kam kur këto janë bërë publike nga zyra e kryeministrit. Janë propozuar disa data se kur prokuroria mund të takohet me Kurtin dhe ta marr dëshminë nëse prokuroria ka qenë e interesuar ta bëj këtë natyrisht që do të shkonte ta merrte dëshminë e Kurtit sepse në këtë rast kryeministri Kurti ka qenë vetëm si dëshmitar. Ka pasur raste kur policia ka ardhë në zyrën time me kërkesë dhe autorizim të policisë me ka marr në pyetje në zyrën time ka pas raste të njëjta me autorizim të prokurorisë kane shku në zyrë të Kurtit dhe e kanë marr në pyetje dhe shtrohet pyetja pse nuk e kanë bërë tash çfarë ka ndryshuar tash. Ne nuk e kemi kuptuar qasjen e prokurorisë por natyrisht që duhet të theksoj që asnjëherë nuk ka pasur refuzim të Kurtit për t’iu përgjigjur institucioneve. Ne anën tjetër sa i përket Ministres Hajdari ajo vet ka thënë që ajo do të përgjigjet sa herë të ketë ftesë por për atë seancë që është mbajtur gjegjësisht ka pasur përpjekje që të mbahet seanca e parë nuk ka qenë e informuar. Natyrisht që nuk mund të shkoj në një seancë kur nuk ke ftesë, ftesën duhesh ta pranosh por kjo nuk ka ndodhur”, tha ajo.
Së fundmi është ngritur aktakuza për sulmin e vitit të kaluar në Ibër-Lepenc, Haxhiu tha se sfidë do të mbetet mosdorëzimi fajtorëve nga ana e Serbisë.
“Ne mirëpresim aktakuzën që është ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale dhe ka pasë një bashkëpunim shumë serioz, shumë profesional të Policisë, Prokurorisë dhe partnerëve që na kanë ndihmuar që tashmë të ketë një aktakuzë për sulmin në Iber-Lepenc. Vepra që ngarkohen janë cenimi i rendit kushtetues, shkelje e rendit kushtetues, sulm terrorist, spiunazh dhe të tjera. Kemi thënë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që për këtë rast dhe për raste të tjera kriminelët të dalin para përgjegjësisë penale. Sa i përket këtyre rasteve, ne kemi edhe sulmin terrorist në Banjska dhe vetëm tre prej personave përgjegjës janë në paraburgim në burgun e sigurisë së lartë por jo edhe një numër i madh i përfshirë në këtë vepër duke përmendur edhe kryeterroristin Milan Radojiçiq. Sfidë e kemi që Serbia nuk i dorëzon kriminelët para drejtësisë dhe në çfarëdo takimi që kemi pasur me partnerët tanë kemi kërkuar që ata ti bëjnë presion që ti dorëzoj kriminelët në Republikën e Kosovës. Natyrisht që duket që presioni që ndërkombëtarët mund të ja bëjnë Serbisë nuk po kryen punë duke qenë që Serbia vazhdon të jetë e njëjta dhe përveç se është bërë strehë për kriminelët e luftës, as ata nuk i dorëzon në Kosovë ajo është bërë strehë edhe për terrorist që kryejnë sulme në kohë të paqes. Është e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë se kush është Serbia dhe ta bëjnë përgjegjëse edhe për sulmin në Banjska edhe për Ibër-Lepenc dhe të dorëzoj çdo person që kërkohet për këto krime të rënda. Ka pasë përpjekje që për sulmin në Basnjka ti merr Serbia por ne kemi refuzuar për faktin se ai sulm ka ndodh në territorin e Kosovës dhe i vetmi vend që ka kompetencë apo përgjegjësi për ta hetuar është Kosova. Prandaj dhe në secilin takim që kemi kërkojmë të dorëzohen ata në republikën e Kosovës”, potencoi ajo. /eo