Tre vjet pas dorëheqjeve në veri, ekspertët: Punësimi i policëve të rinj vetëm nëpërmjet konkursit

Tre vjet pas dorëheqjeve në veri, ekspertët: Punësimi i policëve të rinj vetëm nëpërmjet konkursit

Aktuale December 20, 2025 - 19:04

Përkundër rreth 500 dorëheqjeve të zyrtarëve nga komuniteti serb, numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të forcave të rendit në katër komunat në veri, sipas Policisë së Kosovës, është pothuajse i njëjtë me atë të para dorëheqjeve.

Vetëm në Mitrovicë të Veriut, Zvecan, Zubin Potok e Leposaviq, nëpërmjet konkurseve janë punësuar rreth 150 policë të rinj serbë.

Ekspertë të sigurisë thonë se për të mos lejuar ndikime nga Serbia, punësimet e pjesëtarëve nga komuniteti serb, sikur edhe të tjerëve, duhet të bëhen vetëm me konkurs.

Tre vjet më parë, duke zbatuar urdhra politik, në formë të organizuar rreth 500 zyrtarë policorë nga komuniteti serb në veri zhveshën uniformat me flamurin e shtetit të Kosovës.

Menjëherë, për të mos lejuar vakum ishin angazhuar me zyrtarë policorë shqiptar dhe të komuniteteve tjera, por edhe serbë nga komunat tjera që u risistemuan në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Pasi tha se numri i përgjithshëm i policëve të angazhuar në këtë pjesë të vendit është pothuajse i njëjtë me atë të para dorëheqjeve, në një përgjigje për TV Dukagjini, Policia tregoi se vetëm në veri “përmes konkurseve të rregullta janë punësuar rreth 150 zyrtarë të rinj nga komuniteti serb”

“Nga Nëntori i vitit 2022 e deri më tani përmes konkurseve të rregullta janë punësuar rreth 150 zyrtarë të rinj nga komuniteti Serb, të angazhuar në pjesën veriore të vendit”, thuhet në njoftimin nga Policia e Kosovës

Por, numri i serbëve që u bënë pjesë e Policisë në tërë Kosovën, pas Nëntorit 2022, është më i madh.

“Që prej dorëheqjeve kolektive të policëve serbë në veri të Kosovës në Nëntor të vitit 2022, 208 policë, kadetë të rinj nga komuniteti serb i janë bashkuar Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Albin Kurti, kryeministër në detyrë

Koloneli në pension Refki Morina thotë se dorëheqjet ishin politike dhe të parevokueshme, ndërkaq shpjegoi se rregullativa nuk lejon kthimin e askujt dhe “se punësimi në Policinë e Kosovës mund të bëhet vetëm nëpërmjet konkursit, duke verifikuar të kaluarën penale”.

“Më parë kanë punësuar njerëz edhe të Rojave të Urës në Policinë e Kosovës, por ata në një mënyrë ose një tjetër më shumë kanë punuar për Serbinë sesa për shtetin e Kosovës, andaj një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në Policinë e Kosovës. Është konkursi i rregullt. Në konkursin e rregullt kanë të drejtë të paraqiten të gjitha nacionalitet, shqiptarë, serbë, romë, të gjitha nacionalitetet që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Refki Morina, kolonel në pension i Policisë së Kosovës.

Edhe pse Serbia mund të përpiqet të përdorë marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend më 2013, për integrimin e strukturave paralele, eksperti Drizan Shala tha se, për të mos lejuar ndikime nga jashtë, nuk duhet lejuar kthimin e ish-zyrtarëve.

“Ne do të duhej të analizojmë mangësitë e asaj marrëveshje, do të duhej ta atakojmë në formën juridike për t’ia pamundësuar që këto struktura që kishin dhënë dorëheqje dhe kishin sabotuar institucionet e Republikës së Kosovës mos të kenë fare mundësi që të kthehen në sistemin e sigurisë së Republikës së Kosovës. Të shpallet konkurs i ri duke inkorporuar qytetarë të ri të komunitetit serb në kuadër strukturave të sigurisë për të minimizuar mundësinë e influencimit, mundësinë e sabotazhit dhe mundësinë e spiunazhit brenda strukturave të sigurisë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Drizan Shala, ekspert i Sigurisë.

Ish-policët dhe ish-zyrtarë tjerë shtetëror nga komuniteti serbë ishin dorëhequr në bashkërendim me Listën Serbe, e cila kishte tërhequr kryetarët nga radhët e saj në katër komunat në veri, duke thënë se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. /rtvdukagjini