AGK-ja mirëpret arrestimin e kanosësit të Klan Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar fuqishëm kërcënimet e rënda dhe të papranueshme që Valton Hasani ka bërë kundër televizionit Klan Kosova, dhe ka mirëpritur reagimin shumë të shpejtë të Policisë së Kosovës, “me besimin që rasti do të trajtohet me prioritet”.
“AGK-ja dënon secilën formë kërcënimi e intimidimi ndaj gazetarëve, që është goditje për lirinë e medias në vend”, tha AGK-ja në reagim.
Policia e Kosovës e ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje Hasanin që ka bërë një seri kërcënimesh online kundër televizionit Klan Kosova, dhe punonjësve të këtij televizioni.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh për çka se i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale “Kanosje” në bazë të nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit është në fazën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete hetimore së bashku me institucionet e tjera relevante”, thuhet në një komunikim të Policisë së Kosovës.