Vonesat në dërgimin e ftesave me postë po zvarrisin proceset gjyqësore
Foto: Laura Hasani

Vonesat në dërgimin e ftesave me postë po zvarrisin proceset gjyqësore

Aktuale December 20, 2025 - 21:06

Dështimi i shumë seancave gjyqësore përgjatë këtij viti, ka si shkak problemin e dërgimit të ftesave me postë, që shpesh has në vështirësi, si vonesa e adresa të pasakta.

Gjykata Themelore në kryeqytet, avokatët si dhe organizatat që monitorojnë punën e gjyqësorit, vlerësojnë se kjo gjendje zvarrit proceset. Për një zgjidhje të këtij problemi propozohet komunikimi elektronik si më efikas, si dhe nxitja e gjykatave drejtë një roli më proaktiv.

Praktika e dërgimit të ftesave me postë, për palët në procedurë, po del të jetë një nga shkaktarët e dështimit të seancave, qoftë në rastet penale apo edhe ato civile. Adresa të pasakta, vonesa në dërgesa e mospranimi i tyre në kohë dhe në procedurën e përcaktuar me ligj, shkakton dështimin tyre.

Vonesa e dërgesave të ftesave për palët në procedurë po ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e proceve gjyqësore. Në shume raste po ndikon në shtyerjen e seancave për çka edhe po zgjaten edhe afatet e gjykimeve.

Gjykata Themelore e ka konfirmuar se në vazhdimësi, e veçanërisht përgjatë këtij viti kanë evidentuar raste të konsiderueshme të vonesave nga ana e postës në dërgimin e shkresave zyrtare dhe në kthimin e fletëkthesave.

“Në lidhje me këtë çështje, administratori i Gjykatës ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Postës së Kosovës, gjatë të cilit janë paraqitur vështirësitë dhe vonesat që po shkaktohen në procesin e shpërndarjes së ftesave gjyqësore, vonesa këto që po ndikojnë drejtpërdrejt në efikasitetin dhe performancën e punës së gjyqtarëve”, kanë thënë nga kjo gjykatë.

Kjo dukuri rezulton edhe në raportet e organizatave që monitorojnë gjyqësorin. Megjithkëtë, pa faj nuk mbeten as gjykatat.

"Gjykata duhet ta luaj rolin e vet proaktiv, ta mbroj integritetin e vet si gjykatë dhe në rastet kur has në situatë kur ftesa ka mundur të dërgohet por nuk është dërguar për arsye të njëjta, të mbajë shënim zyrtar dhe t’i paraqes këto raste pranë institucioneve përkatëse në mënyrë që gjithkush, për çdo veprim të marr pasojat e veta" , tha Flamur Kabashi nga IKD.

Procedura e komunikimit me post, krijon vështirësi edhe tek avokatët, të cilët shpesh përballen me dështim të seancave gjyqësore, qoftë për shkak të mospranimit të ftesave apo për moskonstatimin e tyre në procesverbal.

“Ka raste edhe kur pranohen ftesat por mungon dëshmia e pranimit nga ana e cilësdo palë për çka gjykata nuk ka mundësi të mbajë seancën. Kjo përveç në raste penale, edhe në raste civile dhe administrative. Konsiderojmë që do të duhej të bëhej zyrtar dhe i obligueshëm komunikimi elektronik sidomos në rastet kur palët kanë përfaqësues në procedurë”, theksoi Florim Shefqeti, avokat.

Efikasiteti më i madh në këtë çështje, nga palët shihet vendosja e një komunikimi elektronik, që do të hidhte poshtë vakumin e një sërë arsyetimeve të ndryshme. /rtk